Koka e prerë e Origjinës së Botës
Nga Luan Rama, Paris
Para pak kohësh revista e njohur franceze Paris-Match bënte të njohur lajmin sensacional se ishte gjetur portreti i humbur i tablosë së famshme të Gustave Courbet, Origjina e Botës, të quajtur kështu nga historianët e artit, por jo nga Courbet. Që nga kjo ditë ekspertë të ndryshëm të artit janë treguar disi të kujdesshëm të pranojnë menjëherë se bëhet fjalë për kokën e prerë të kësaj tabloje që mendohet se më parë ka qenë një tablo e madhe, duke i lënë vendin më vonë tablosë së prerë të quajtur Origjina e Botës. Prerja e tablove nuk është e panjohur në historinë e artit, madje dhe pikturat që janë bërë mbi piktura të tjerë në modelin e palimpsestit, si në disa tablo të Delacroix e shumë të tjerëve, të pakënaqur nga puna e mëparshme. Por kjo ngjarje është me interes pasi bëhet fjalë për një nga tablotë më emblematike të erotizmit, e cila pas një peripecie me shumë se një shekullore, u rigjet dhe hyri në koleksionin e Musée dOrsay, një nga më modernët e Evropës dhe të botës, tablo që tërheq për vite me rradhë vizitorët më të shumtë të këtij muzeu. Një lloj Xhakonde erotike me portret të humbur.
Gazetarja franceze që botonte shkrimin rreth këtij sensacioni artistik, Anne-Cécile Beaudin, tregon historinë e një amatori arti që nuk do ta bëjë të njohur emrin e tij, i cili gjatë një dite shiu kishte hyrë në sallonin e një antikuari parizian dhe atje i kishin mbetur sytë tek një portret mjaft interesant, por që antikuari as që e njihte autorin e saj. Për 1400 euro, ai e morri i gëzuar tablonë e vogël, në dimensionet 41×33 cm dhe me të në dorë u largua me bindje se atë portret duhej ta kishte pikturuar një dorë mjeshtri. Cili vallë? Vështirë ti përgjigjej kësaj pyetje. Dhe kështu nga dita ne ditë, kureshtja e shtyu të shkojë në kërkim të autorit të saj. Fatmirësisht një vulë pas pëlhurës së vjetër shënonte emrin disi të gjymtuar të tregtarit të kësaj tabloje. Dhe duke shfletuar në bibliotekën e Luvrit lidhur me tregtarët e fundit të shekullit XIX ai gjeti se bëhej fjalë për firmën Deforge-Carpentier.
Kështu me emrin e këtij tregtari ai mundi të përcaktonte se kjo tablo ishte pikturuar në kohën midis viteve 1858-1869, pasi më pas, ky tregtar kishte vdekur. Dhe ai mendonte se mund të ishte një tablo e Manet, apo e Fantin. Dikush i kishte thënë se mund të ishte një Courbet nga mënyra e pikturimit. Dhe një çast ai e besoi se mund të ishte kështu sepse Courbet, në 1866 kishte pikturuar tablonë Gruaja me papagall që sot gjendet në Metropolitan Museum të Nju Jorkut, një nudo të mrekullueshme, shtrirë në shtrat duke mbajtur majë gishtërinjve të saj një papagall. Ishte një modele që kishte qenë e dashura e Courbet, pasi më parë Jo irlandezja, Joana Hifferman, kishte qenë modelja dhe e dashura e mikut të tij, piktorit të njohur James Whistler që ato kohë krijonte në Paris dhe adhuronte mikun e tij Courbet. Atëherë, ky amator arti, pronari i ri i kokës së prerë, iu drejtua ekspertit të njohur të Courbet-së, CNE (Compagnie Nationale des Experts) të specializuar për veprat e artit e më pas Jean-Jacques Fernier, të Intitutit Gustave Courbet i cili iu përkushtua shumë shpejt kësaj aventure, meqë ishte eksperti kryesor i veprës së Courbet dhe autor i katalogut të plotë të veprave të Courbet. Nëse në fillim ky ekspert ishte dyshues, me analizat spektografike, kimike, rezet X, etj, shpejt ai do të bindej se së pari, kjo tablo ishte pikturuar nga Courbet dhe së dyti, ajo duhej të ishte pjesë e një tabloje më të madhe, nga e cila ishte shkëputur Origjina e Botës si dhe portreti por dhe pjesë të tjera të tablosë që sdihej se në çmuzeume mund të gjendeshin. Analizat treguan se gjithçka korrespondonte midis atij portreti dhe Origjinës së Boptës: pigmentet e ngjyrës, penelata kafe, dinamika e kokës dhe e trupit të Origjinës së Botës, coha e linit me përbërje identike, pra 14×15 fije për cm². Po kështu dhe fijet e penelit kishin të njëjtën hapësirë si në penelin që kishte punuar mbi tablonë Origjina e Botës. Madje eksperti Fernier, skicoi dhe se si mund të kishte qenë tabloja fillestare, të cilën padyshim Courbet nuk mund ta shiste, as ta prezantonte në sallonet e artit. Madje askush nuk mund ta mbante qoftë dhe në muret e shtëpisë një tablo të tillë, për më tepër aq të madhe. Vallë ishte vetë Courbet që e kishte prerë tablonë duke pranuar ti japë Halil Beut, ambasadorit otoman vetëm pjesën erotike?
* * *
Vite më parë, kur tabloja e gjetur e Origjinës së Botës hynte në Musée dOrsay, në vitin 1995, për mua kjo ishte një sensacion i madh, ashtu siç ishte akoma më shumë për historianët e artit por dhe për publikun artdashës. Pra unë nxitova ta shikoja në muret e muzeut kur Jack Lang, ministri i Kulturës, inauguronte hyrjen e saj. Ishte kjo ngjarje që më shtyu më vonë të shkruaja romanin Camera obscura-Origjina e Botës të botuar nga Globus R. Një titull me dy pjesë, pasi në këtë roman plekseshin dy linja: ajo e një fotografeje shqiptare të vendosur pas hapjes së Shqipërisë në Paris, e vlerësuar me nudot e saj të kuqe, të ekspozuara në disa galeri, reflekse këto të kohës totalitare dhe historisë së kësaj tabloje mitike me atë që e kërkoi apo e komandoi këtë tablo tek Courbet, Halil Beu, ambasadori i Turqisë otomane në Paris, amator arti dhe një pinjoll i gardës së afërt të Mehmet Ali Pashës të Egjiptit, të cilët ishin të gjithë shqiptarë besnikë. Pra dy linja ku pikëtakonin censurën, seksin, nudon, lirinë personale dhe lirinë e artit. Nga ana tjetër tabloja na mundëson dhe të njihemi me jetën tronditëse të piktorit të kësaj vepre, artistit të epokës revolucionare, i cili me ardhjen në pushtet të monarkistëve përfundoi në burg, nga ku e nxorën thjesht për të vdekur. Por le të tregojmë se çkishte ndodhur me Courbet dhe si e pikëtakoi krijimtaria, arti, me një ambasador të tillë. Ja çfarë kisha shkruar ato kohë né shënimet e mia
* * *
Në kornizën e asaj tabloje, një perde veluri hapej ngadalë duke zbuluar seksin e një femre. Personazhet që ndodheshin në atë sallon duke shqyer sytë, papritur lëshonin pasthirma. Kurrë në jetën e tyre nuk kishin parë një tablo të tillë. Ishte një kryevepër Kjo ndodhte në Paris, në vitin 1867 në sallonin e ambasadorit otoman, i cili ishte një pinjoll i familjes shqiptare të Mehmet Aliut të Egjiptit. Origjina e botës Kjo tablo e famshme e pikturës erotike botërore dhe një nga emblemat më të njohura të saj, gjëndet sot në Musée dOrsay, në Paris. Me shumë piktorë dhe miq shqiptarë shpesh jam gjëndur para saj. Madje në inkoshiencë këmbët së pari më kanë çuar drejt sallës ku gjendej ajo. Një tablo që padyshim ka hyrë sot në mitologjinë moderne: seksi, origjina e krijimit, ku midis shumë pyetjeve që spektatori bën para saj, njëra prej tyre qëndron pezull: Doù venons-nous? (Nga vijmë ?). Me historinë e kësaj tabloje lidhen emra të shumtë të botës artistike pariziane të asaj kohe, që nga autori i saj Gustave Courbet (Kurbe), duke vazhduar me Saint-Beuve, Theophil Gautier, Flaubert, vëllezërit Goncourt e mbi të gjitha vallë ideatori? pronari i saj i parë Halil Beu (Khalil Bey, apo siç quhej ndryshe dhe Khalil Sherif Pasha). Shpesh here piktori Courbet e kishte pyetur veten se përse ai ambasador simpatik preferonte aq shumë nudot dhe për më tepër i kishte kërkuar ti pikturonte diçka që askush nuk kishte guxuar ta pikturonte deri në atë kohë: seksin e femrës. Një ndërmarrje e çuditshme, e çmendur, madje e rrezikshme. Edhe pse Parisi ishte mbushur me maison close apo ndryshe shtëpitë publike, censura nu