E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokalari: Një histori me Lulzimin që më bindi se është një gënjeshtar i përkryer si mentori i tij

luliGeri Kokalari, në një intervistë për Gazetën “Dita” ndalet në zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Kokalari shpreh habinë se si një person anësor, nga më pak të talentuarit, si Basha, mund të marrë një peshë të tillë në PD. Ai tregon takimin e parë me Bashën në hotel Sheraton në vitin 2005 dhe përshtypjen negative për të.

“Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur u njoftua se Basha do të bëhej Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, e kam takuar atë, në Hotel Sheraton në Tiranë. Në kohën e zgjedhjeve, ishte i njohur fakti që unë po ndihmoja në ekspozimin e marrëveshjeve të padrejta të interkonjeksionit të Telekomit, që ishin bërë një barrë financiare për të gjithë shqiptarët. Ishte gjithashtu e njohur mirë se Berisha kishte përdorur informacionin tim si pjesë të platformës së tij për të sulmuar Fatos Nanon. Unë u takova me Bashën në barin e Sheraton-it, dhe e përdora mundësinë për ti sugjeruar që ai ta bënte çështjen e Telekomit një përparësi të zyrës së tij ministrore, sic ishte premtuar në fushatë nga Sali Berisha, që e kishte mbështetur denoncimin tim për të vënë në dukje këtë skandal. Basha më siguroi mua se kjo do të ishte një prioritet i zyrës së tij. Unë i thashë atij se do ti përcillja informacion shtesë mbi këtë çështje dhe se do të isha përherë i gatshëm për të ndihmuar për ta ndrequr këtë problem. Pas atij takimi, i kam dërguar e-maile atij që përfshinin detaje rreth të metave të sistemit të Telekomit si dhe rekomandimet specifike për të zgjidhur problemin. Rikujtoj që bëhet fjalë për të njëjtën çështje, të cilin PD-ja e përdori për të diskredituar Nanon. Por kurrë nuk mora më përgjigje nga Basha. Mu bë e qartë se për Berishën dhe Bashën, vëmendja e tyre në fushatë për skandalin e Telekomit ishte pak më shumë se një maskaradë. Sinqerisht, po ju them se përshtypja ime e parë për Bashën ishte se ai ishte një person pompoz, egoist. Por në atë kohë, unë nuk e dija ende se ai ishte gjithashtu ashtu si mentori i tij një gënjeshtar i përkryer. Tani më shumë se tetë vjet më vonë shumë pak ka ndryshuar me industrinë e Telekomit të Shqipërisë. Pra Basha më gënjeu mua, por ajo që është më e keqe, ai gënjeu popullin e Shqipërisë. Kjo përvojë më ka mësuar edhe diçka:  se mënyra më e mirë për të ditur nëse Basha është duke thënë një gënjeshtër është të shihni buzët e tij në lëvizje. Por në retrospektivë, unë duhet të falënderoj Bashën. Sepse mashtrimi i tij mbi çështjen e Telekomit më bëri të kuptoj shumë herët Berishën si kryeministër. Më bëri të kuptoj qysh atëherë se fushata e tij premtuese për të reformuar Shqipërinë ishte një mashtrim i madh. Kjo ishte pjesë e asaj që më ka motivuar mua për të luftuar kundër marrëveshjeve të korruptuara si AEY dhe Albpetrol”, shprehet Kokalari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›