Kokoarra sfiduese dhe dëshmitare e barbarisë së betonit
Gjirokastër
Engjëll Serjani
1. Dy pemë monument, dy histori të ndryshme.
Kokoarra dhe Rrapi i Pleqve janë të vetmet pemë me emër në Gjirokastër. Të dyja pemët janë vërsnike, në të njëjtën moshë, janë plot 100-vjeçare, mandej të dyja janë shpallur monument natyre. Por historitë e tyre janë krejt të ndryshme. Rrapi i Pleqve lëshon hijen e tij të rëndë në qendër të qytetit të vjetër, shumë pranë Qafës së Pazarit. Nën hijen e tij qëndrojnë ditë për ditë prej 100 vjetësh mençuria e qytetit, të moshuarit e tij. Ata nuk e shijojnë kafen në asnjë vend tjetër të qytetit dhe të botës. Pavarësisht nga mosha e kësaj peme simbol dhe mosha e frekuentuesve të hijes së Rrapit të Pleqve, kjo pemë duket si pema më me fat e qytetit, sepse të gjithë turistët dhe vizitorët e huaj nuk harrojnë kurrë pa marrë një foto nga rrapi i moçëm, degët e të cilit hapen lirshëm në një territor të gjerë midis çative të gurta të Pazarit të Vjetër.
Por fati i Kokoarrës është i ndryshëm dhe disi i trishtuar. Dikur ajo ishte një pemë e vetmuar, mbirë a mbjellë (nuk e di), në një zallishte në mes të një hani kafshësh, pranë dyqaneve të vogla të nallbanit dhe samarxhiut, vendosur në periferi të Gjirokastrës, ku fshatarët e Labërisë, Lunxhërisë, Zagorisë dhe të Dropullit lidhin kuajt, mushkat a gomarët sa herë që nevoja i sillte në Gjirokastër. Shtrirja e qytetit në këto 40-50 vitet e fundit e ka zhvendosur Kokoarrën më në qendër të qytetit, mandej në kufirin që ndan si me thikë zonën e mbrojtur historike, ose qytetin e gurtë me pjesën moderne të tij, ose qytet betonin. Të gjitha ndërtimet e reja të 50 vjetëve të fundit, kryesisht pallate, janë shtrirë nga Kokoarra e në vazhdim në veri të qytetit. Të lindur, të rritur, pse jo dhe të plakur në këtë qytet, e njohin mirë këtë pemë, sepse poshtë hijes së Kokoarrës kanë hedhur shtat dhe sipër degëve kanë luajtur dhe mbledhur kokrrat aguridhe me ngjyrë të gjelbër që u nxinin duart dhe i tradhtonin përpara qortimeve të prindërve. Prej vitesh Kokoarra ishte bërë pikë referimi në qytetin pa adresa. Takohemi te Kokoarra!, Shkoi nga Kokoarra!, Kafe Kokoarra, E kam shtëpinë te Kokoarra!, janë shprehje që kanë hyrë në leksikun e përditshëm gjirokastrit. Mandej, jam habitur kur mbi një zarf të nisur nga një emigrant që jeton në Kanada, ishte shkruar adresa, Redaksisë së Radio-Televizionit TVGJ, lagjja 18 Shtatori, Pranë Kokoarrës, Gjirokastër, Albania.
2. Betoni sfidon Kokoarrën, ajo sfidon betonuesit me kujtime
Dy a tri javë më parë, një miku im më la takim te Kokoarra. Në orën e caktuar u nisa për te vendi i caktuar. Për çudinë time, Kokoarra nuk dukej gjëkundi. E paskan prerë, mendova me keqardhje për pemën e fëmijërisë time. Kapërceva me vështirësi një ndërtesë që kishte nisur të ngrihej në vendin ku dikur bënte hije pema në fjalë, me tej, përmes tymit të një vatre zjarri me qymyr ku skuqeshin qofte, matanë dy ndërtimeve të tjera të tipit të çuditshëm shtesëpallati, pikërisht në mes të një sheshi të shtruar me beton, pashë trungun e arrës së vjetër. Trungu, se degët që pengonin ndërtimet e çuditshme ishin prerë. Normalisht që më kapi trishtimi. Të paktën, trungu ka mbetur, mendova. Vendi përreth pemës monument nga pesë anët ishte i betonuar, vetëm një katror i vogël sipër kurorës shikonte pak qiell. Ai pak qiell mbi kokë ishte ndoshta sfida e fundit e pemës monument, pasi betoni përreth e ka sfiduar përfundimisht Kokoarrën. Tani e tutje, kur të mbyllet ai katrori i vogël blu sipër pemës simbol, atëherë Kokoarra do të sfidojë betonin dhe betonuesit me kujtime dhe nostalgji. Në kulm të dëshpërimit për atë pemë, mendova të bëj disa fotografi, sigurisht që për pak kohë Kokoarra jonë nuk do të jetë më dhe ca foto në këtë peizazh betoni pas vitesh do të na shërbenin për të na kapur nostalgjia e kujtimeve. Duke pritur mikun tim, me vështrimin në pjesën e mbetur të Kokoarrës, bëra disa fotografi shpejt e shpejt dhe kalova nëpër mend jetën e kësaj peme të vjetër si të ishte jeta e një njeriu.
3. Tabiate të vjetra sfidojnë barbarinë e sotme urbanistike dhe mjedisore
Fati i trishtë i Kokoarrës më solli në kujtesë disa tabiate të vjetra, nga ato që sot quhen zakone, standarde apo rregulla, të cilat sfidojnë hapur dhe dukshëm barbarinë e sotme urbanistike dhe mjedisore në qytetin që prej 6 vjetësh nuk është vetëm toni, por edhe qytet i UNESCO-s.
Çkishte parë e përjetuar Kokoarra në 100 a më shume vite që kishte lëshuar hije mbi këtë vend? Nga mosha ime fëminore, që i përkiste epokës kur pema e vjetër shërbente si hani i kafshëve, ose më saktë Hani i Zallit, kur kjo pemë monument lëshonte hije aty ku zalli i Përroit të Ficos zbardhëllonte vendin përreth Kokoarrës dhe kur poshtë hijes së tij dhjetëra kafshë përtypin kashtë e bar të thatë gjithë ditën e Perëndisë kujtoj disa rregulla të thjeshta që mbanin pastër rrugët e qytetit. Nuk e di nëse kishte ekzistuar ndonjëherë, një ligj, dekret, a vendim bashkiak për mënyrën se si duhet të qarkullonin, apo ku duhet të qëndronin kafshët e dorës dhe të ngarkesës në qytet, por di që para 50 vjetësh, e ndoshta në kohë që smbahet mend më parë, në Gjirokastër zbatoheshin disa rregulla strikte për