Kokona: Fokusi, tek investimet me ndikim ekonomik dhe social

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), Elira Kokona, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të AIC-së dhe Bordit Këshillimor të AIC-së, ku u zhvillua një analizë e zgjeruar e veprimtarisë së institucionit për vitin 2025 si dhe u parashtruan piketa mbi vizionin strategjik për vitin 2026.
Gjatë takimit u vlerësuan rezultatet e arritura gjatë vitit, përtej bashkëpunimeve të suksesshme me Durana Tech Park dhe Albanian State Development & Real Estate (ASDRE) si edhe organizimit të garave ndërkombëtare për rijetëzimin e pronave publike.
Ndërsa një tjetër element i rëndësishëm i diskutimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, të cilat kanë kontribuar në rritjen e interesit të investitorëve dhe në rritjen e standardeve të projekteve të zhvillimit.
Kokona theksoi se, paralelisht me arritjet, AIC është përballur edhe me sfida që lidhen me rritjen e volumit të biznesit dhe kompleksitetin e projekteve në administrim, duke kërkuar një qasje më të strukturuar dhe afatgjatë në menaxhimin e investimeve publike.
Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës dhe Bordi Këshillimor përcaktuan prioritetet dhe drejtimet strategjike që do të udhëheqin veprimtarinë e AIC në vitet në vijim.
Kokona u shpreh se fokusi do të jetë tek investimet me impakt ekonomik dhe social, zhvillimi i qëndrueshëm i pronës publike, rritja e eficiencës në përdorimin e aseteve shtetërore dhe krijimi i vlerës së qëndrueshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
“Vizioni për vitin 2026 synon të konsolidojë rolin e AIC si një instrument kyç në zhvillimin ekonomik të vendit, duke nxitur projekte inovative, partneritete të reja dhe një model investimi që kombinon interesin publik me standardet më të mira ndërkombëtare”, deklaroi drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), Elira Kokona.
1 nga 2/e.xh/j.p/r.e/