Tensione në Kuvend, Peleshi përjashton nga seanca Klevis Balliun dhe Flamur Nokën

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Deputetët e opozitës penguan sot zhvillimin e seancës plenare, pasi në formë proteste ndaj qeverisë, zunë karriget e ministrave.
Situata e tensionuar, vijoi edhe pasi Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, çeli seancën plenare. Deputeti i opozitës, Belind Këlliçi, ndezi një fishekzjarr pranë karrigeve të ministrave, ndërsa në drejtim të Kryetarit të Kuvendit u hodhën shishe me ujë, gjatë kohës që ky i fundit po lexonte rendin e ditës.
Gjithashtu deputetë të opozitës rrëzuan edhe karrigen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë tensioneve të krijuara, Peleshi u dha vërejtje deputetëve të opozitës dhe përjashtoi nga seanca plenare deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliun.
Në një situatë të tensionuar, Kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën për 5 minuta deri në largimin e Balliut nga salla.
Pas rinisjes së seancës, sërish deputetët e opozitës vijuan kaosin. Gjatë momentit të votimit të projektligjeve, Kryetari i Kuvendit, përjashtoi nga seanca edhe deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka.
/m.q/j.p/r.e/