E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokona ftesë diasporës: Investoni dhe bëhuni pjesë e transformimit të Shqipërisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona i kërkoi sot përfaqësuesve të  Diasporës të besojnë tek Shqipëria dhe të bëhen pjesë e transformimit të saj.

Në fjalën e saj në Samitin e IX të Diasporës Shqiptare që po zhvillohet në Tiranë, Kokona tha se “ky samit nuk është për të folur për ide abstrakte. Është për të ndërtuar ura reale me diasporën. Nuk ju kërkojmë thjesht të besoni tek Shqipëria. Ne ju ofrojmë mundësinë të investoni në të. Të bëheni pjesë e transformimit të saj. Jo si spektatorë, por si bashkë-ndërtues. Sepse Shqipëria që po ndërtojmë sot nuk është vetëm për ne që jetojmë këtu”.

“Diaspora shqiptare sjell eksperiencë, rrjete ndërkombëtare, dhe standarde të reja pune. Me këtë kapital të jashtëzakonshëm që nuk është vetëm financiar por edhe njohurish e aftësish, Diaspora mund të hyjë si investitor në projekte konkrete të zhvilluara nga AIC. Në projekte si Durana Tech Park, kjo është vendimtare sepse nuk ndërtojmë thjesht hapësira fizike, por një ekosistem inovacioni që lidhet me botën. Në projekte si Expo Albania, kemi hapësirën perfekte të krijojmë një platformë ku diaspora nuk është thjesht investitor individual, por një rrjet i organizuar që sjell kapital, ide dhe partneritete ndërkombëtare”, nënvizoi Kokona.

Kokona tha se Shqipëria ka një rezervë të madhe asetesh publike që historikisht kanë qenë të nënshfrytëzuara, të cilat sot, përmes AIC, po i kthejmë ato në motorë zhvillimi.

“Projekte si Lift dhe Void Tower janë shembuj konkretë ku ndërtesat e amortizuara apo hapësira të pashfrytëzuara, po I transformojmë në struktura moderne që krijojnë vlerë ekonomike dhe identitet urban. Këto janë projekte ku diaspora mund të hyjë me besim sepse baza është publike, struktura është profesionale dhe vizioni është afatgjatë”, theksoi Kokona.

Më tej Kokona tha se “Shqipëria ka rritje të qëndrueshme e të vazhdueshme ekonomike, një klimë investimesh të sigurta dhe mbi të gjitha, një ritëm të ri në realizimin e projekteve”.

“Ne si AIC jemi një instrument i ri i fokusuar posaçërisht për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet projekteve strategjike të investimeve kombëtare dhe rajonale. Këto përpjekje përputhen me politikat kombëtare që synojnë të përdorin në mënyrë efektive asetet shtetërore, të mobilizojnë kapitalin publik dhe privat, si dhe t’i shndërrojnë idetë inovatore në projekte të zbatueshme dhe me ndikim të lartë”, tha ajo.

Sipas saj, AIC nuk është thjesht një institucion i ri, por një mënyrë e re të menduari për rolin e shtetit në ekonomi.

“Ne identifikojmë asete publike të lëna në harresë por me potencial të lartë dhe i strukturojmë ato në projekte të investueshme, duke krijuar modele financiare të qëndrueshme, dhe i hapim për bashkë-investim me sektorin privat”, tha Kokona.

Drejtoresha e AIC-së, Kokona bëri të të ditur se “sot kemi një portofol projektesh që tejkalon 1 miliard euro investime, qindra milionë euro që kthehen direkt në ekonomi dhe komunitet dhe mbi 85 projekte në zbatim. Kemi kthyer pronën publike në aset investimi përmes projektesh me vlerë të shtuar në zhvillime urbane, destinacione turistike e hapësira ekonomike të reja. Kemi ndërtuar projekte që tërheqin kapital, jo që presin kapital duke krijuar njëkohësisht partneritete që ndajnë fitimin dhe riskun. Ky është ndryshimi i madh. Shteti nuk është më vetëm rregullator, por është bashkë-zhvillues”.

/k.s/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›