E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i KMSH-së pret drejtues të institucioneve islame shqiptare në diasporë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, priti në një takim drejtues të rëndësishëm të institucioneve islame shqiptare në diasporë. Ky takim u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së delegacioneve në Samitin e katërt të Diasporës shqiptare me temë “Përmes rrënjëve lartësohemi”, i cili organizohet nga qeveria shqiptare. Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ),  Mehas Alija; Kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani, Mensur Halili; si dhe Drejtori për Diasporë në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut,  Mafiz Rustemi, të cilët shoqëroheshin nga imamë dhe anëtarë të komuniteteve të tyre respektive. Gjatë bisedës u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në shërbimin ndaj besimtarëve shqiptarë në diasporë, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha fetare, arsimore dhe sociale. Në fjalën e tij, kreu i KMSH-së vlerësoi punën dhe përkushtimin e institucioneve islame shqiptare në diasporë, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit. Spahiu u shpreh se shqiptarët në mërgatë kanë arritur të ruajnë gjuhën, të përkujtojnë vazhdimisht atdheun dhe të kultivojnë vlerat më të mira shpirtërore, duke dëshmuar se feja dhe kombi nuk janë dy shtylla që përplasen, por dy drita që ndriçojnë njëra-tjetrën. Të pranishmit vlerësuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve dhe rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar. 1 nga 6

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›