Kolapsi në tregun energjetik, kërkohet ndihma e donatorëve
Takimi i djeshëm i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, me drejtoreshën rajonale për Europën Juglindore të Bankës Botërore, Jane Armitage, u përqendrua te sektori energjetik. Përveç diskutimit mbi projektet që Banka Botërore ka mbështetur, siç është ai për sigurinë e digave apo ndërtimi i Termocentralit të Vlorës, Haxhinasto e vuri theksin në problematikat që hasin sot operatorët. Sipas ministrit, është e nevojshme që performanca e operatorëve në tregun energjetik të rritet në nivelin e duhur, duke iu referuar në këtë aspekt problematikës që lidhet me performancën teknike dhe financiare të CEZ Shpërndarjes. Kjo, sipas tij, ka pasoja financiare edhe në aktivitetin e operatorëve të tjerë, siç është KESH. Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Armitage, ndau të njëjtin mendim lidhur me zgjidhjen e problematikës financiare që ekziston mes operatorëve të tregut.
Pjesë e takimit është bërë edhe mundësia për ndihmë që ekziston nga ana e donatorëve, të cilët kanë qenë veçanërisht të interesuar ndër vite për sektorin energjetik shqiptar. Haxhinasto dhe Armitage në fund të takimit u angazhuan për një rol më aktiv të donatorëve në këtë sektor dhe në një kohë të shkurtër u ra dakord organizimi i një konference donatorësh, nën kujdesin e METE-s, për të trajtuar objektivat e përbashkët për përmirësimin e sektorit energjetik në vend.