Kolec Topalli shpjegon propozimet për ndërhyrje në gjuhën shqipe dhe sqaron se nuk preken themelet
Pas një zhurmë të madhe që u bë në lidhje me mundësitë e ndërhyrjes në gjuhën shqipe, profesor Kolec Topalli ka qartësuar gjërat në një intervistë për GSH. Ai shpjegon se është mbledhur Këshilli Ndërakademik për Gjuhën në Akademinë e Shkencave dhe ka bërë disa propozime, që nuk prekin themelin e gjuhës. Topalli thotë se ata nuk kanë tagër që të bëjnë ndryshime, por vetëm sa bëjnë disa propozime, që më vonë mund të shihet mundësia që të kthehen në rregulla. Madje nga propozimet e bëra shihet se ato nuk prekin standardin e shqipes, por janë disa korrigjime që vetëm sa përmirësojnë gjuhën. Topalli thotë se nuk janë prekur fjalë të tilla si nënë apo babë ose foljet kanë ose janë.
Sipas Kolecit, është propozuar që për shembull fjala gojëtar të shkruhet gojtar, për shkak se kështu shkruhet edhe lojtar apo rojtar. Po kështu mund të shkruhet mjeksi dhe jo mjekësi për shkak se kështu shkruhet edhe popullsi. Ai po ashtu thotë se duhet ta shkruajmë antar dhe jo anëtar, pasi askush nuk e shqipton ë-në në këtë rast. Koleci thotë se fjala hasm duhet shkruar hasëm, pasi askush nuk e thotë hasm, njësoj si ritëm, pasi askush nuk thotë ritm.
Po kështu fjala mjeshtëror duhet thënë mjeshtror, pasi është njësoj si ministror, që nuk shkruhet me ë. Koleci thotë se janë propozuar njësime edhe për fjalët matjan dhe lezhjan me fjalët kuksian dhe laçian. Të parat shkruhen me j, të dytat me i dhe nuk ka pse të ketë ndryshime.
Koleci thotë se duhet ndryshuar edhe fjala Evropë dhe duhet bërë Europë, pasi nuk themi dot Evrovizion dhe evro për monedhën.
Koleci sqaron se vetë Kongresi i ka lënë disa forma shumësi të pazgjidhura, duke ia lënë kohës në dorë. Për shembull fjalët nip- nipër ose nipa, princ- princër ose princa. Tani është koha që të zgjidhet një trajtë e shumësit.