Kolegji Zgjedhor shqyrton ndarjen e ZAZ

Kolegji Zgjedhor nis punën e tij për këtë vit të ri me shqyrtimin e çështjes së ndarjes së vendit në zona të administrimit zgjedhor. Kështu, pas ankimimit të depozituar nga ana e PD-së, Gjykata e Apelit ka zgjedhur që pikërisht në datën 3 janar të shqyrtojë kërkesën e saj për ndarjen e territorit zgjedhor të vendit në 100 ZAZ, nga 66 që vendi ka pasur në zgjedhjet e shkuara. Ankesa e demokratëve erdhi pas mosmarrëveshjeve në Komisionin Qendror Zgjedhor, lidhur me numrin e zonave që do të ketë vendi, duke mos mundësuar marrjen e vendimit që kërkon shumicë të cilësuar.
Administrata e KQZ-së në fillim propozoi 76 zona të administrimit zgjedhor, propozim që mbështetet edhe nga Partia Socialiste. Por, në një propozim të dytë, administrata i shtoi duke ripropozuar 89 ZAZ, ndërsa PD e rriti më tej numrin duke kërkuar 100 të tilla. Opozita kundërshtoi me argumentin se një ndarje e tillë nuk respekton kërkesën ligjore që ZAZ-të duhet të kenë pothuaj numër të barabartë zgjedhësish dhe se rritja e popullsisë së vendit nuk justifikon ndarjen e vendit në kaq shumë ZAZ.
Për këtë arsye, demokratët u ankuan në gjykatë duke vendosur në thelb të kërkesës që ndarjen e vendit në ZAZ ta bëjë Kolegji.