Kolegji Zgjedhor s’vendosi emrin e Berishës në fletën e votimit, Meta: Lojërat e Edi Ramës në panikun e humbjes

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta beson se janë lojrat e “Edi Ramës, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos vendosur emrin e Sali Berishës krah koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit.
“Këto lojëra, nuk ka qytetarë të Tiranës dhe Shqipërisë që nuk e kupton hallin e madh që ka gjetur Ramën. Halli i madh i tij është se ai nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë, ka ca kukulla të stërprovuara, stërkonusmuara, që kanë firmosur për të vjedhur e ndarë plaçkën e pushtetit vendor, së bashkë me Ramën.
Një pjesë prej tyre i ka çuar nëpër burgje se nuk i mbante dot, të tjerë kanë dhënë dorëheqjen e të tjerë presin radhën për të shkuar atje ku e kanë vendin shpërdoruesit e taksave dhe ligjeve.”
Paraditen e sotme në një konferencë me gazetarët nga selia e Partisë së Lirisë, Meta u tha gazetarëve se nuk ka qenë kërkesë e Berishës që emri i tij të vihet në krah të koalicionit por e kryetarëve të tre forcave politike në koalicion.
“Nuk është se ka qenë kërkesë e Berishës por e kryetarëve të tre forcave politike në koalicion për të qenë emri i zotit Berisha”
Meta beson se nuk do kenë ndikim tek zgjedhësit.
“Zero ndikim tek votuesit, lojërat që bën Edi Rama në panikun e humbjes së rëndë që e pret në 14 maj me cic-mice të tilla që turpërojnë Kolegjin Zgjedhor dhe çdo institucioni që pretendon se është i pavarur. Është zgjedhje e forcave politike që përbëjnë koalicionin që të paraqiten me një emër apo jo dhe po kështu mund të jetë dhe duhet të jetë emri në rast se është e domosdoshme”
Më 21 prill Kolegji Zgjedhor vendosi që në fletën e votimit për zgjedhjet e 14 majit, si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të vendoset emri i kreut të PL-së, Ilir Meta dhe jo emri i ish-kryeministrit Sali Berisha.
/rtsh.al/