Meta: Rama kërcen për të hequr vëmendjen nga grabitjet që ka bërë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë një takimi të zhvilluar në njësinë 9 në Tiranë, ka deklaruar se kryeministri Rama gjatë këtyre viteve të fundit ka goditur shtresën e mesme të shoqërisë.
Ai akuzoi sërish qeverinë për aferën e inceneratorëve, dhe u bëri thirrje qytetarëve që në 14 maj të bëhen bashkë dhe të votojnë për ndryshimin e madh.
“E keni parë se si kërcen? Mos u habisni nëse kërcen edhe lakuriq. Më falni që po e them por ai bën çdo gjë për të hequr vëmendjen nga grabitja që ka bërë. Ka goditur shtresën e mesme të Shqipërisë. Përfaqësuesit e klaneve janë në qeveri për t’i shërbyer Ramës. Një mësues shqiptar në Shqipëri merr 4200 euro në vit, ndërsa një mësues shqiptar në Plavë e Guci merr 9200 euro. Këta habiten se si do t’i gjejë lekët ky për autobusët falas. Habiten këta që të gjesh lekë për 200 mijë njerëz çdo ditë. Shpenzimet e urbanit falas janë sa gjysma e atyre që paguhen për inceneratorët që nuk ekzistojnë.”- tha Meta.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, në mënyrë që t’i jepet fund brutalitetit në raport në ligjin.
/rtsh.al/