Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmon në detyrë prokurorin Saimir Hysa

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka konfirmuar sot në detyrë prokurorin e Tiranës, Saimir Hysa. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa gjykuese, e cila vendosi të lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Komisioneri Publik ankimoi konfirmimin e Hysës në KPK. Hysa u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 10 gusht të vitit të kaluar. Dy çështje të Hysës u dërguan për vlerësim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi apelimin e vendimmarrjes së Komisionit, duke sugjeruar që disa prej gjetjeve në kriterin profesional dhe atë të pasurisë, të verifikoheshin nga KPA. Bazuar në këtë rekomandim, Komisioneri Ballhysa ushtroi ankim, duke kërkuar shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi. Prokurori Saimir Hysa i kundërshtoi argumentet e Komisionerit për profesionalizmin.
KPA në fund të vlerësimit, vendosi në mënyrë unanime konfirmimin në detyrë, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Hysa, është prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe e mban këtë detyrë prej 16 nëntorit 1992.
/r.e/