E Enjte, 5 Nëntor 2026

Operacion i përbashkët ndërkombëtar, SPAK godet grupin kriminal të trafikut të drogës

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se, ka realizuar një operacion të rëndësishëm në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e vendeve si Italia, Zvicra, Polonia dhe Shqipëria. Ky operacion vinte në kuadër të hetimeve lidhur me veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mashtrimi në investime të mëdha”.

Sipas njoftimit të SPAK, hetimet kanë zbuluar ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ka ushtruar aktivitetin e tij në trafikimin e lëndëve narkotike, veçanërisht kokainës, nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me fokus kryesor në Itali. Ky grup operonte në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.

Të dyshuarit pastronin fitimet e paligjshme përmes një rrjeti të gjerë kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë euro. Gjatë operacionit, janë sekuestruar gjithsej 360 kg kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, që përllogariten në rreth 60 milionë euro.

Në Shqipëri, janë kryer 21 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera, gjatë të cilave janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, J.K. dhe A.M. Po ashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë euro, 6 mijë paund, dy automjete, një armë, katër ora ‘Rolex’, 26 aparate celulare, dokumente dhe sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera të rëndësishme.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›