E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji nis shqyrtimin e ZAZ-ve

Ka nisur paraditen e së enjtes në Gjykatën e Apelit seanca e parë e Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e Zonave të Administratës Zgjedhore.

Seanca po zhvillohet pasi Partia Demokratike depozitoi vitin e kaluar kërkesën për ndarjen e vendit në 100 Zona Administrative Zgjedhore.

Çështja përfundoi në gjykatë pas dështimit të konsensusit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me komisionerët e majtë që kundërshtuan propozimin e PD.

Administrata e KQZ-së në fillim propozoi 76 Zona të Administrimit Zgjedhor, propozim që mbështetet edhe nga Partia Socialiste.

Por, në një propozim të dytë, administrata i shtoi ato duke ripropozuar 89 të tilla, ndërsa PD e rriti më tej numrin duke kërkuar 100 të tilla.

Opozita kundërshtoi me argumentin se një ndarje e tillë nuk respekton kërkesën ligjore që ZAZ-të duhet të kenë pothuaj numër të barabartë zgjedhësish dhe se rritja e popullsisë së vendit nuk justifikon ndarjen e vendit në kaq shumë ZAZ.

Në këto kushte, demokratët u ankuan në gjykatë duke vendosur në thelb të kërkesës që ndarjen e vendit në ZAZ ta bëjë Kolegji Zgjedhor.

Por Kodi Zgjedhor e parashikon këtë çështje si kompetencë ekskluzive të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimmarrjes së cilësuar në të.

Në nenin 24 të tij, në pikën F, thuhet shprehimisht se: “konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit”.

Në seancat e zhvilluara fundvitin e kaluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u verifikuan debate të ashpra që sollën një kaos të vërtetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›