E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji pranon ankimimin e LSI-së për hapjen e kutive në qarkun e Kukësit

Kolegji zgjedhor pranon ankimimin e LSI-së për hapjen e kutive në qarkun e Kukësit

Kolegji zgjedhor pasi ka shqyrtuar ankimimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila kërkon numërimin e disa kutive për qarkun e Kukësit, ka vendosur të pranojë ankimimin e kësaj e partie dhe të administrojë provat filmike të numërimit në këtë qark.

Kolegji ka vendosur që verifikimi i provave filmike të kryhet nga ekspertë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ekspertët e caktuar nga partitë politike, janë Ardian Pollo për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Zamir Hoxha për Partinë Demokratike. Ekspertët janë të fushës së elektronikës dhe do të bëjnë betimin sot në mbrëmje, para Kolegjit

LSI pretendon se mund të ketë 155 vota më shumë dhe mund ta marrë ajo mandatin e katërt në këtë qark dhe jo Partia Demokratike, pasi rezultati është shumë i ngushtë: vetëm 15 vota.

Përfaqësuesi i LSI-së Ilirjan Muho është shprehur se vendimi i KQZ-së është i pambështetur në prova dhe në ligj.

Gjithashtu pritet që Kolegji të japë sot vendimin për rinumërimin e Shkodrës që vijon ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Partia Socialiste ka ankimuar proçesin dhe kërkoi që të merret i njëjti vendim si rasti i Lezhës. Por sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike rasti i Shkodrës nuk është i ngjashëm me atë të Lezhës.

Po ashtu Kolegji pritet të vendosë sot edhe për ankesën e Dritan Prifiti i cili ka kërkuar rinumërim për gjithë qarkun e Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›