Komandanti nuk gabonte!
EDMOND ARIZAJ
Më mbeti në mendje vetëm një fjalë e përsëritur dy-tri herë në fjalimin gati dyorësh të kryetarit të PS-së në Kongres. Një fjalë që kishte mbetur larg, që e kujton ndonjëherë Artan Lame në shkrimet e tij, e që shumë pensionistë ish-oficerë e përdorin për pensionistë ish-eprorë të tyre. KOMANDANT. E pohuar nga goja e kryetarit të PS-së. Gradën ia vinte një telefonues, sipas kryetarit, nga Mallakastra, që e këshillonte ti kërkonte falje Ermelinda Meksit për një gjasme debat (sipas kryetarit). Pavarësisht se nuk u kuptua pse duhej shpjeguar kaq hollësisht një gjasme debat (kur nuk është bërë herë të tjera), pikërisht një ditë pasi Meksi nuk ishte më deputete, nuk ishte kjo e rëndësishmja. Theksimi se ky telefonues e thërriste kreun e PS-së, të parin mes të barabartëve, komandant, dhe dëshira e madhe e vetë kreut të PS-së, madje kënaqësia e tij për këtë titullim, të linte mbresa. Dukej se kryetari i PS-së po u drejtohej drejtëpërdrejt të gjithë socialistëve, jo vetëm atyre në Kongres: dua të më quani komandant. Personalisht nuk besoj se ka pasur një telefonatë të tillë (pra besoj se kreu i PS-së dëshironte ta shpallte se si i pëlqen ta thërrasin). Edhe nëse kryetari i PS-së, në prag të Kongresit dhe në vigjilje të mbajtjes së fjalimit që do sjellë PS-në drejt pushtetit, ka gjetur kohë të flasë me dikë nga Mallakastra, fjala komandant duhet ti ketë vrarë veshin këtij antikomunisti të zjarrtë. Sepse komandant është thërritur gjithë jetën e vet Enver Hoxha. Pa dyshim që ka plot shqiptarë që i quajnë liderët politikë me gradime të ndryshme, mes tyre edhe komandant. Madje, edhe përpara se vetë kryetari i PS-së të kthehej në Shqipëri. Por asnjë herë, një politikan shqiptar nuk ka guxuar të deklarojë në publik se mua më drejtohen me fjalën komandant. Këtë e bëri vetëm kryetari i PS-së. Kur fare mirë, nëse kishte vendosur ta tregonte këtë histori me të panjohurin nga Mallakastra (sa histori të tilla u treguan në fushatën e 2009), duhej të zhdukte komandantllëkun. PS-së së sotme nuk i duhet një Enver. Qoftë ky edhe komandant. Qoftë i shëtitur edhe në Paris. A, nëse kryetarit të PS-së i është mbushur mendja se ai do të jetë një komandant-Enver, ky nuk është më vetëm një problem për PS-në dhe për grupet armiqësore që do të gjenden aty vazhdimisht. Ky kthehet në një problem për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të urojmë se ishte një gabim pa qëllim të keq. Ishte i pari.
Të mësojmë nga gabimet, ishte një nga fjalitë më të bukura të fjalimit të tij. Madje e paimagjinueshmja ndodhi. Kryetari tha që edhe ai duhet të mësonte nga gabimet, që të mos i përsëriste më. Cili ishte gabimi më i madh i tij gjatë gjithë periudhës që është në krye të PS-së? Që nuk solli PS-në në pushtet? Ku ishte reflektimi i tij për këtë gabim? U foli socialistëve që të punonin për të rikthyer të ikurit, madje u vuri edhe normën e re: 30 për qind njerëz më shumë për çdo organizatë!!! Po vetë kryetari si do të punonte? Këtë ndoshta e harroi. Ndoshta harroi se ishte pikërisht kjo punë e pabërë e tij, që në 2009-n i la socialistët në opozitë. Ndoshta harroi se PS-së më shumë i kanë ikur njerëz gjatë mandateve të tij si kryetar, sesa kur këtë parti e drejtonte Nano. Ishte gabimi i dytë.
Ka kaq kohë që bëhet debati i programit. Kryetari i PS-së, dy vjet para zgjedhjeve të përgjithshme, thirri Eureka. Pra, PS na paska më në fund një program. E çë pastaj? Demokratët dhe Berisha kanë gjashtë vjet që qeverisin, dy vjet prej të cilave me LSI (gabimi i dytë, pak më lart), me një program demokratikas, që fare mirë 97 për qind e votuesve të djathtë as që e dinë se çështë. Pra, ende kryetari i PS-së nuk po e kupton thelbin; programi duhet për fushatë, deri atëherë duhen njerëz, shumë njerëz, shumë, shumë njerëz. Që përkthehen në vota. Por ndoshta i djegur një herë, mos vallë kryetari ka nxituar ti fryjë programit dy vjet para? Ashtu si 97 për qind e votuesve të djathtë, edhe 97 për qind e votuesve të majtë, mund tu interesojë fare pak programi. Sepse, në copa letrash mund të shkruash gjithçka. Interesi i madh është SI do të vijnë në pushtet, që pastaj edhe të zbatohet programi. Të jetë kjo sërish një taktikë e gabuar e kryetarit? Do ishte katastrofë për PS-në, socialistët dhe të majtët në përgjithësi. Këtu nuk flitet më për gabime, por për paaftësi. I treti ky.
Kryetari deklaroi se të gjithë që duan të afrohen në PS, derën e kanë të hapur (deri tani ka qenë e mbyllur?!). Më kujtohet se nga viti 2003-2004, pikërisht dy vjet para zgjedhjeve të 2005, Kryeministri i sotëm hapi PD-në. Kështu u quajt në atë kohë, hapje. Por po ta mendosh hollë-hollë, nuk erdhën njerëzit tek PD, por shkoi PD tek ata. Në mos PD, Berisha, merreni si të doni. Berisha nuk doli e tha derën e keni hapur, hajdeni, por i mblodhi, i takoi, i ofertoi etj. si këto. Dhe u krijuan grupime të pazakonta për ish-PD hermetike, erdhën fytyra të reja dhe të përgatitura mjaft, u riafruan edhe kundërshtarë të ashpër të Berishës (sot ministra e deputetë). Ndaj edhe kryetari i PS, nuk duhet të hapte derën dhe kush të hynte të hynte, kjo është e thjeshtë. Ai duhet të dalë vetë nga dera dhe të fusë brenda edhe ata që kalojnë shpejt para portës së tij, edhe ata që rrinë e mendohen para dritareve të tij, edhe ata që mezi e shohin brenda asaj dere. Por mbi të gjithë, ai duhet të mbajë ata që mund të ikin nga ajo derë. Sepse shumë ikin prej tij.
E fundit, për këtë shkrim, por jo se ska akoma për të thënë. Ndryshimi kaq i shpeshtë i statutit (trikatër herë apo më shumë) nuk është shumë serioz. Të paktën gjysma e anëtarëve të Kryesisë së PS-së, gjatë viteve kanë deklaruar të paktën një herë se statuti është kushtetuta e partisë. Nëse, megjithëse është e kotë ta vazhdosh mendimin, se edhe Kushtetutën kryetari nuk është se e respektoi shumë Ah, e fundit fare. Qofsha i gabuar, por nga PS duket se ishte shpërndarë një udhëzim që delegatët të ishin të gjithë me shkollë të lartë. Në mos qoftë frikë nga emisioni Fiks Fare, ky quhet diskriminim. Dhe një partie të majtë nuk i shkon diskriminimi. Mos vallë edhe për çdo pikë të programit do ketë ndonjë udhëzim?
Vetëm në një ditë, shumë gabime për dikë, politikan, që pëlqen ti thërresin komandant. Komandanti, sipas Artan Lames ishte i pagabueshëm
PS: Në pritje të kujtimeve
të para, KURBAN.