E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandot e vrarë, Rama: Sakrifica e tyre, kontribut i paçmueshëm

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi si një humbje të madhe për të gjithë shqiptarët vrasjen e dy komandove shqiptarë në Afganistan. Shefi i opozitës shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke theksuar njëkohësisht edhe “mirënjohjen për shërbimin e lartë patriotik që dy dëshmorët më të rinj të Shqipërisë i bënë vendit tonë.”

“Fjalët nuk mund të mjaftojnë dot për ta shprehur si duhet vlerën e sakrificës sublime të Feti Voglit dhe Aleksandër Peçit, të cilët fatkeqësisht mbyllën sot sytë përgjithmonë duke i shërbyer kauzës së madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës. Sakrifica e tyre sublime është një kontribut i paçmueshëm i Shqipërisë së vogël për botën e madhe demokratike.”- shkruhet në mesazhin e kryesocialistit.

Ndër të tjera, Rama thekson se “Shqipëria sot ka dy djem të rinj më pak, por dy arsye tejet të forta më shumë për ta vazhduar me edhe më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lirë.”

“I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre dhe shërbeftë ky shembull heroik për të qenë gjithnjë të bashkuar mesveti kur është fjala për të mbrojtur kauzat e botës së lirë, krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj, kudo e kurdoherë që universi demokratik do të kërcënohet nga forcat djallëzore të së keqes. Me çdo sakrifice.”- përfundon mesazhi i kryetarit të PS-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›