E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kombëtarja U-21, Rashica e Kurti: Duam rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Futbollistët e Kombëtares U-21, Ermir Rashica dhe Adi Kurti, kanë folur për fshf.org në prag të dy ndeshjeve miqësore ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës.

Rashica vlerësoi kundërshtarët dhe theksoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë të motivuar për të dhënë maksimumin.

“Besoj që dy ndeshjet që do t’i zhvillojmë do jenë shumë të forta, sepse kemi dy kundërshtarë shumë të fortë si Gjermania dhe Zvicra. Jemi në formë secili lojtar, sepse vijmë me minuta të shumta nga ekipi dhe besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv”, tha ai.

“Objektivi është të japim maksimumin nga vetja jonë. I imi është të shënoj gola dhe të bëj më të mirën time për Kombëtaren”, theksoi Rashica, teksa shtoi se. “Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë. Lojtarët janë të motivuar dhe besoj që do dalim patjetër me një rezultat pozitiv. Është ndeshje e fortë dhe është mirë për ne që të kemi mbështetje nga tifozët”.

Një nga risitë e trajnerit Bushi në këtë grumbullim, Adi Kurti u shpreh i lumtur për ftesën dhe vlerësoi nivelin e kundërshtarëve.

Ai theksoi se Shqipëria do të futet me mentalitet fitues në fushë dhe i bëri thirrje tifozëve në Elbasan për të mbështetur Kombëtaren U-21.

“Jam shumë i lumtur për ftesën nga profesor Bushi. Isha shumë i lumtur kur mora vesh që do të jem me Kombëtaren U-21. Është një kohë e gjatë që e prisja dhe kam punuar fort për këtë ftesë”, tha ai.

Kurti u shpreh se, “Zvicra dhe Gjermania janë dy Kombëtare të nivelit botëror që gjithmonë kanë prodhuar futboll shumë të mirë dhe kualitativ. Por ne do të futemi gjithmonë me mentalitet fituesi, sepse edhe ne jemi një Kombëtare që jemi në rritje, që mund t’i bëjmë dëm çdo ekipi”.

“Jemi mirë me njëri-tjetrin, po mundohemi të njihemi avash-avash, sepse disa jemi të rinj. Atmosfera është shumë pozitive”, theksoi ai, teksa i bëri një thirrje tifozëve që ta mbështesin Kombëtaren U-21.

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›