Kombëtarja U-21 fiton kundër Armenisë, Duka: Kualifikimet mund të ishin mbyllur edhe në vend të dytë

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka përgëzuar djemtë e Kombëtares U-21 dhe stafit teknik, që e mbyllën kualifikueset e Euro 2025 me fitore kundër Armenisë në “Air Albania”.
Në një postim në rrjete sociale Duka shkroi se, ishte një edicion kualifikues i mbyllur në vend të katërt me 16 pikë, pas Zvicrës, Finlandës dhe Rumanisë.
“Me pak fat dhe kujdes Kombëtarja jonë U-21 mund ta kishte mbyllur në vend të dytë, por futbolli i tillë është”, u shpreh ai.
Duka tha se, në vazhdimësi pret të punohet edhe më fort në drejtim të rezultateve, si dhe paralelisht për të rritur futbollistët dhe për t’i bërë gati për Kombëtaren A, teksa shtoi se, “të fundit që e bënë këtë kapërcim ishin Adrion Pajaziti dhe Feta Fetai, në vazhdim presim që të tjerë lojtarë të tregojnë veten dhe të japin kontributin e tyre në Kombëtare”.
“Le të nxjerrim mësimet e duhura nga ky edicion dhe të vazhdojmë të punojmë fort në të ardhmen që të realizojmë objektivat e vendosura”, shkroi Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
1 nga 2