Kombëtarja e femrave për të shkruar historinë
Brazili i Evropës
Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra do të marrë pjesë në fazën eliminatoret e Kupës së Botës Kanada 2015, si pjesë e Grupit 5, pjesë e të cilit do të jetë edhe Norvegjia që ka fituar një botëror, një herë ka zënë vendin e dytë ndërsa dy herë ka siguruar vendin e katërt. Përveç Norvegjisë, në grupin e Shqipërisë bëjnë pjesë Holanda, Belgjika, Portugalia dhe Greqia. Ekipi kombëtar i femrave të Shqipërisë merr pjesë për herë të parë në një fazë eliminatore botërori.
Ekipi i ri dhe shumë energjik është i pamposhtur akoma nga asnjë ekip pasi ka gjashtë fitore dhe një barazim që prej krijimit. Skuadra ka debutuar në 10 nëntor të vitit 2011, duke mposhtur Maqedoninë me rezultatin 4-1 dhe po të njëjtët kundërshtarë i mposhtën vitin e shkuar me shifrat 2-0.
Javën e shkuar, në Maltë, u zhvillua faza para-eliminatore e botërorit ku përfaqësuesja jonë e femrave shkëlqeu në Grupin A duke mposhtur Lituaninë me rezultatin 2-0, Luksemburgun 2-1 dhe duke barazuar me vendasit, Maltën, 1-1. Kështu ato fituan një vend në fazën eliminatore të botërorit. Është një rezultat historik. Jam shumë i lumtur dhe krenar për vajzat dhe stafin drejtues, tha presidenti i federatës, Armando Duka.
Ndërkohë kapitenia e ekipit, Aurora Serenaj tha: Ne kemi një grup shumë të mirë dhe na pëlqen të luajmë bashkë. Luajtëm të bashkuar si një ekip dhe e merituam fitoren.
Futbolli i femrave në Shqipëri ka filluar të luhet në vitin 2005. Janë gjithsej 250 lojtare të federuara deri tani si profesioniste. Edhe trajneri Altin Raklli foli për mediet duke thënë: Ishte shumë e vështirë që ti mblidhnim vajzat bashkë. Shumica e tyre kanë udhëtuar shumë kilometra për tu bashkuar me grupin.
Furtuna Velaj dhe Elvana Curo bënë sakrificë duke ardhur përkatësisht nga Amerika dhe nga Australia. Këto dy vajza shënuan 3 nga 5 golat e realizuar në fazën para-eliminatore. Ky është padyshim një sukses abosulut për kombëtaren shqiptare të futbollit të femrave.
