Kupa e Shqiperisë , jugu me sytë nga Ballshi
Korçarët, luajnë ndeshjen vendimtarë për dopjetën me trofe, ndërsa ballshiotët, do të kërkojnë fitoren për të bërë histori
Gjysmëfinalet e Kupës zbresin sot në Ballsh, ku skuadrat e Skënderbeut dhe Bylisit do të ndeshen me njëra-tjetrën, për të zbuluar se kush do të jetë finalisti i Jugut dhe kush do të ketë mundësinë e artë, të fitojë për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Deri tani, në këtë sezon sfidat mes Skënderbeut dhe Bylisit nuk kanë nxjerrë fitues dhe asnjë nga ekipet nuk është treguar superior ndaj tjetrit.
Në këtë ndeshje, korçarët do të jenë ata që do kërkojnë me ngulm golin teksa ndeshja e parë ka përfunduar 1-1 dhe barazimi pa gola i lë jashtë korçarët. Ballshiotët do të kenë mundësinë të rrinë në pritje, teksa kanë shënuar një gol jashtë fushe, megjithatë tekniku Shensoji ka premtuar lojë të bukur dhe sulmuese.
Formacionet
Bylis Tekniku turko-kosovar, Naxhi Shensoji, do i ketë të gjithë lojtarët e tij në dispozicion për këtë ndeshje. Mungesa e vetme pritej të ishte ajo e Fjodor Xhafës, pas problemeve fizike qw bomberi vlonjat pati gjatë javës, por mjekët dhanë dritën jeshile dhe numri 10 do të ketë mundësinë ta nisë nga stoli këtë ndeshje.
Në portë, Stivi Frashëri do të luajë kundër ekipit të vendlindjes, ndërsa përpara tij do të rreshtohen Adigun Adebajo, Kire Ristevski, Olsi Teqja dhe vlonjati Hektor Idrizi. Në repartin e mesit të fushës, do të jetë Sefa dhe Gërxho në qendër, ndërsa krahët do të mbulohen nga nigerianët Bola dhe Izuçuku.
Në repartin e avancuar, dyshja e sulmit pritet të jetë Arbri Olajinka. 17-vjeçari, shënoi golin e vetëm të Bylisit në ndeshjen e kaluar, dhe ka impresionuar me formën e tij në ndeshjet e fundit, duke fituar kështu dhe elozhet e teknikut Shensoji.
Skënderbeu Për korçarët, e sigurt është mungesa e kroatit Pero Pejiç, i cili ka pasur probleme fizike dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa. Megjithatë, pozitiv është rikthimi i Ilirjan Çaushajt dhe i kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Besës. Kapiteni pritet ta nisë nga minuta e parë ndërsa sulmuesi përmetar do të jetë në stolin e rezervave.
Në portë për korçarët, i përhershmi Shehi ndërsa katërshen e mbrojtjes e përbëjnë Marko Radas, në krahun e majtë, Ditmar Bici dhe Ivan Gvozdenoviç në qendër të mbrojtjes, ndërsa krahu i djathtë do i besohet brazilianit Ademir de Souza, i cili shënoi dhe golin e tij të parë me fanellën e Skënderbeut, në ndeshjen ndaj Besës.
Në mesfushe do i bëjnë shoqëri Shkëmbit, Lilaj dhe Orelesi, ndërsa më të avancuar do jenë Fagu dhe Dimo. Në sulm, i vetëm Sebino Plaku, i cili do mbështet nga krahët e mesfushës.
Statistika:
Këtë sezon
Këtë sezon, ky do të jetë takimi i katërt për dy ekipet, mes kupës dhe kampionatit. Në kampionat, korçarët kanë barazuar në Korçë 2-2 në fushën e lojës, rezultat që më pas u ndryshua nga Komisioni i Disiplinës, për shkak se Bylisi kishte aktivizuar gjashtë lojtarë të huaj, ndërsa në Ballsh, barazimi ka qenë me dy gola më pak, teksa rezultati përfundimtar i ndeshjes së 15 Shtatorit, ishte 1-1. Në kupë, ndeshja e parë gjysmëfinale, përfundoi 1-1, me golin e parë të shënuar nga ballshiotët me anë të Pitër Olajinkës, ndërsa goli i barazimit u firmos nga Sabien Lilaj.
Skënderbeu jashtë: 87%, Bylis brenda: 80%
Korçarët kanë qenë 87% të suksesshëm në edicionin e sivjetshëm të Kupës së Shqipërisë, teksa në pesë ndeshje në transfertë kanë grumbulluar plot katër fitore dhe një barazim.
Barazimi i vetëm është ai me modestët e Olimpikut të Tiranës, ndërsa fitorja e parë jashtë ka qenë ajo ndaj Kamzës, 0-1, për raundin e dytë eliminator. Në fazën me grupe, kampionët kanë qenë absolute dhe kanë fituar në Krujë, Peqin dhe Kukës me rezultatet 1-2, ndaj Kastrioti, 1-4, ndaj Shkumbinit, dhe 2-3 ndaj Kukësit.
Golaverazhi i përgjithshëm për bardhekuqtë në kupë, është 6-12. Në krahun tjetër, pothuajse perfektë kanë qenë ballshiotët, të cilët kanë fituar 4 nga pesë ndeshjet e tyre në shtëpi. Në raundin e parë kanë mposhtur Tërbunin më rezultatin minimal 1-0, ndërsa në raundin pasardhës viktima ka qenë Luftëtari.
Gjirokastritët janë mposhtur 3-1, dhe janë eliminuar nga kompeticioni, ndërkohë që të kuqtë u kualifikuan në fazën me grupe. Pikërisht në këtë fazë, ka ardhur dhe humbja e parë, ajo ndaj Flamurtarit, humbje që i vuri disi në vështirësi pozitat në klasifikim, por fitoret ndaj Teutës, me goleadë 5-0, dhe ndaj Laçit, 2-1, i kishin shtruar rrugën të besuarave të teknikut Shensoji.
Të dy ekipet kujtohen në fund për golat
Si Skënderbeu, ashtu dhe Bylisi, shumicën e golave të tyre i shënojnë në minutat e fundit. Bardhekuqtë janë më ekstremë, teksa shënojnë afërsisht 40% të golave të tyre në çerek-orëshin e fundit.
Disi më të moderuar ballshiotët, të cilët shënojnë 26% të golave në 15 minutat e fundit, ndërsa 23% e shënojnë në 15 të parat, duke e lënë të thatë ndeshjen, në 60 minutat e mbetura.
Për Skënderbeun, minutat e para janë një tmerr i vërtetë, pasi vetëm 5% e golave janë shënuar në 15 minutat e para. Ecuria gjatë ndeshjes, ndërkohë është më e njëtrajtshme, teksa nuk ka ndryshime të mëdha në intervalet e tjera.
Luftë në tribuna
Duket se do të ketë luftë në tribunat e stadiumit Adush Muça. Të dy tifozeritë kanë bërë përgatitje të mëdha, për të pasur gjithçka gati, ditën e sotme. Ballshiotët kanë premtuar mbështetje maksimale dhe duket se do të jenë lojtari i 12-të i ekipit të tyre, ndërsa nuk mbeten mbrapa dhe korçarët, për të cilët ka menduar presidenti Ardian Takaj.
Numri një i korçarëve, ka premtuar autobusë pa fund për tifozët e tij, ndërsa nisja e tyre do të bëhet përpara stadiumit Skënderbeu, në orën 08:30.
