E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja i sjell fat, Amir Abrashi gol për Grasshopersin

Vetëm pak ditë më parë është lançuar për në ekipin kombëtar shqiptar dhe kjo duket se e ka karikuar kosovarin Amir Abrashi, i cili ka shënuar në ndeshjen me Grasshopersin. Ka qenë minuta e 52-të e ndeshjes, kur Abrashi ka kaluar në avantazh skuadrën e tij, 1-2, në një ndeshje të vështirë në transfertë me Sant Gallen. Grasshopersi ka fituar Kupën e Zvicrës, ndërsa në kampionat është në vend të dytë. Nëse Bazeli humb në ndeshjen e fundit dhe fiton skuadra e Abrashit, atëherë shpallet kampion. 

Gjithsesi, kjo ka pak shanse të ndodhë, pasi Bazeli luan në shtëpi ndeshjen e fundit. Ndërsa Vullnet Basha me Sionin është aktivizuar për 56 minuta. Jo më kot De Biazi i ka afruar këta futbollistë, pasi janë në aktivitet dhe në kulmin e formës. Të shohim më 3 qershor nëse ata do të lejohen nga FIFA për t’u aktivizuar me Shqipërinë, pasi pasaportat shqiptare i kanë marrë tashmë.
(e.m/E./Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›