E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kombëtarja rinis përgatitjet në shtëpi për sfidën me Letoninë

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare është rikthyer në shtëpi nga transferta e Gjibraltarit mbrëmjen e të premtes dhe sot ka zhvilluar stërvitjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Letonisë.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo realizoi ushtrime fizike dhe skema teknike me seancën stërvitore që zgjati për më shumë se 1 orë mes palestrës dhe fushës. Grupi ishte i plotë, përveç Myrto Uzunit, i cili u stërvit i diferencuar, për shkak të një problemi në kofshë, që po mbahet nën monitorimin e stafit mjekësor e që sipas analizave paraprake nuk është serioze.

Ditën e diel skuadra do të stërvitet sërish në Shtëpinë e Futbollit në orën 17:00 me 15 minutat e para që do të jenë të hapura për median.

Më datë 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në sfidën e kualifikueseve të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 20:45.

Sot për grupin K, ku ndodhet kombëtarja kuqezi, u luajtën dy ndeshje. Në orën 15:00 Letonia humbi minimalisht përballë Serbinë, ndërsa në orën 18:00 kryesuesja e grupit, Anglia fitoi ndaj Andorrës 2-0.

Kuqezinjtë do të luajnë të martën në “Air Albania” ndaj Letonisë, takimin e vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2026. Po të martën, për Grupin K, luhet edhe ndeshja Serbi – Angli.

Biletat për sfidën zyrtare të kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 mund t’i blini online në adresën ebileta.al si edhe në biletarinë fizike që ndodhet në hyrjen qendrore të stadiumit “Air Albania” në Tiranë (e hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 18:00).

Renditja e Grupit K:

  1. Anglia           4 ndeshje, 12 pikë
  2. Serbia           3 ndeshje, 7 pikë
  3. Shqipëria      4 ndeshje, 5 pikë
  4. Letonia         4 ndeshje, 4 pikë
  5. Andorra        5 ndeshje, 0 pikë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›