E Diel, 1 Nëntor 2026

Komedia “Simfonia e fatit” sjell humor në Fier, përplaset me egoizmin dhe batutat e çiftit në skenë

Komedia “Simfonia e fatit”, po shfaqet mbrëmjeve në teatrin Bylis në Fier. Kur një çift bashkëshortor planifikon takime të fshehta në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, gjithçka kthehet në një rrëmujë komike plot situata groteske.

Humor me batuta ritmike, në një skenë të thjeshtë, ndërsa aktorët përballen me egoizmin, vetminë dhe dëshpërimin për të pranuar sfidat e jetës.

Kjo komedi brilante erdhi si premierë për herë të parë në Shqipëri në skenën teatrit “Bylis” në Fier.

Publiku fierak po duartroket në këto tre mbrëmje aktorët Olta Daku, Neritan Liçaj dhe Xhuliano Brisku.

“Faleminderit publikut të Fierit për gjithë dashurinë e madhe që na ka dhënë. Falënderoj gjithashtu partnerët e mi, Neritan Liçaj dhe Xhuliano Brisku, partnerë dhe aktorë të mrekullueshëm. Faleminderit edhe Driada Dervishi”, tha Daku.

“Të vish në Fier është gjithmonë një mrekulli dhe i falënderojmë që na dhanë mundësinë ta japim premierën këtu. Është gjithmonë bukur që Fieri ka një spektator të mrekullueshëm, një teatër shumë të mirë dhe një grup pune shumë të mirë”, tha Liçaj.

“Sigurisht, ritmi i shfaqjes është shumë i lartë. Ajo që duket këtu është shumë pak, sepse pas skene është një “çmenduri” ku ne ndërrohemi vazhdimisht. Është një “katastrofë”, një shfaqje më vete, po themi. Por rëndësi ka që publiku e pëlqeu shumë dhe i presim edhe nesër në shfaqjen e fundit në Fier”, tha Brisku.

Regjisorja Driada Dervishi pohon se është bërë një përshtatje e lirë nga teksti i italianit Aldo Nicolai.

Me premieren “Simfonia e Fatit” nisi edhe sezoni i ri teatror në Fier.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›