Komentet negative ndaj bizneseve, Spahiu apel opozitës: Mos dëmtoni turizmin, të punojmë për integrimin në BE

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu dënoi sot fenomenin e komenteve negative ndaj bizneseve, duke e cilësuar atë si të rëndë dhe të drejtuar nga disa parti të vogla opozitare.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Spahiu tha se “fenomeni që u vu re në ditët e fundit ishte shumë i rëndë, shumë i vështirë për t’u pranuar, por gjithsesi është bërë edhe nën dirigjimin dhe drejtimin e disa prej opozitave të vogla të Shqipërisë”.
Spahiu u shpreh se “nëse nga pjesa më e madhe e mazhorancës bëhet sakrifica maksimale që të arrijmë objektivin e kërkuar nga shqiptarët, mos bëni të kundërtën, sepse kur humbet turizmi, humbet çdo familje e nderuar dhe e respektuar shqiptare që punojnë me djersën e ballit”.
“Unë jam shumë e ndërgjegjshme që pas meje do të dalë kolegu i opozitës dhe do vazhdojë me variantet e veta. Por thirrja sinqerisht është shumë e hapur për të gjithë kolegët: Bashkohuni me ne për Shqipërinë në Bashkimin Europian!”, tha Spahiu.
/k.s/r.e/