Komenti/Kopilat e listës së Partisë Socialiste
Prurjet e reja të Edi Ramës në listat e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste kanë të gjitha elementet e “rilindjes” jashtë martese. Ilirian Celibashi, Parid Cara e Alfred Peza janë emra të panjohur për bazën socialiste, të cilët janë përzgjedhur për të qenë deputet të sigurtë në listat e PS sipas një kriteri personal të kryetarit të PS.
Edi Rama po shkel me arrogancë statutin e Partisë Socialiste, nenin 29 të tij në pikën 14, ku e drejta për të miratuar listat e kandidatëve i përket kryesisë. Pa të voglin dyshim ky nen përcakton se kryesia, “miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”.
Kjo gjë martesë ilegale jo statusore kuptohet më qartë në faktin që kryesia e PS-së ka më shumë se tre muaj që nuk është mbledhur.
Kësisoj del që Edi Rama vetë vendos dhe vetë vulos në këtë parti, duke e kthyer logjikën e organizatës vullnetare në një vullnet arrogance të tij. Ai po vendos dita-ditës se kujt do t’i pritet koka. Dhe zërat kundër kësaj logjike kokëprerje të Edi Ramës janë të vakëta. Deputeti i PS, Erjon Braçe në mënyrën e tij kërkon publikisht që listat e kandidatëve për deputetë të jenë të ndershme, çka do të thotë automatikisht se blerjet e reja të Edi Ramës janë të pandershme.
Ndërsa deputeti tjetër i PS, Arben Malaj në mënyrën e tij kërkon publikisht që listat e kandidatëve për të deputetë të PS të marrin parasysh kontributet e gjithsecilit, çka do të thotë se blerjet e reja të Edi Ramës nuk kanë kriter kontributin në parti, por janë rrjedhojë e kritereve dhe preferencave personale shumë larg vendimeve kolegjiale të kryesisë së PS.
Në fakt, ky është problemi që shqetëson edhe opozitarin Preç Zogaj, i cili në një intervistë të fundit thekson se atij i kishte vrarë veshin thënia e Ilirian Celibashit gjatë prezantimit se, “kishte dy vjet që e lusnin”.
Zogaj shprehet se, “këtu ka katër vjet që njerëzit bëjnë opozitë, deri në përballje të rrezikshme, dhe nuk dimë të kenë pasur lutje. Mund ta kishte kursyer këtë fjali”.
Padyshim tabloja që jep Preç Zogaj për Edi Ramën është ajo e një njeriu që është mbyllur nga brenda me çelës, ku jashtë derës ka deputetë socialistë që vërdallosen pa e ditur se çfarë ka vendosur kryetari, i cili nuk u përgjigjet mesazheve dhe telefonatave të tyre.
Ky fat i zi ka prekur Arta Daden, Arben Malajn, Fatmir Toçin, Ilir Gjonin, Arben Isarajn, Marko Bellon, Alfred Dalipin e Gazmir Bizhgën, të cilëve iu është hequr së fundmi edhe përshëndetja në mbledhjet e grupit parlamentar, çka është një sinjal për panevojshmërinë e tyre. Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, dy figura të regjimit të kaluar janë sterilizuar dhe nuk kanë humbur ndikim në përcaktimin e listës dhe hyrjen e blerjeve të reja në PS.
Sido që të jetë, ky pështjellim me listat për deputet të Edi Ramës nxjerr në pah një kryetar autoritar që nuk merr parasysh vlerat dhe kontributet në opozitë, ndërsa i jep rëndësi shpërblimeve për favore të kandidatëve në të kaluarën jo shumë largët në Bashki.
Blerjet e reja të Edi Ramës në PS janë mish i huaj bazën socialiste që shikon mekanizmin e ngjitjes në karrierë jo si fund të një procesi kontributi dhe vlera, por si një mekanizëm okult jashtë vlerave të demokracisë. Të gjithë po shikojnë këto ditë një spektakël lakuriq të mungesës së demokracisë dhe vendimmarrjes kolegjiale në PS.
Pacipësia e Edi Ramës për të përjashtuar forumet dhe strukturat e larta partiake në përzgjedhjen e ekipit garues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit u jep vërtetësi zërave se ai po realizon një operacion zvetënimi derisa të arrijë në një organizëm jo qelizor, duke krijuar një parti të re, partia e re e Edi Ramës.