Komici: Ndryshimet ligjore për statusin e magjistratëve adresojnë problematika të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Deputeti Olsi Komici prezantoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipëris뒔, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të domosdoshme për forcimin e themeleve të reformës në drejtësi dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian.
Në fjalën e tij hyrëse, Komici theksoi se nisma ligjore ka në fokus garantimin e pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, me qëllim ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit. Ai nënvizoi se projektligji është hartuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë për periudhën 2021-2025 dhe udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës, duke synuar përmbushjen e piketave të ndërmjetme të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Komici vuri në dukje se ndryshimet e propozuara adresojnë problematika të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual, veçanërisht mungesën e drejtuesve të përhershëm në gjykata dhe prokurori, nevojën për rritjen e transparencës së vendimmarrjes së Këshillave, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të integritetit të kandidatëve për magjistratë.
Sipas tij, projektligji synon të krijojë kushte më të qëndrueshme për funksionimin e organeve të vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besimit publik.
Komici theksoi se projektligji parashikon një sërë ndërhyrjesh kryesore, mes të cilave saktësim përkufizimesh ligjore, duke shtuar termat “pasuri”, “person i lidhur”, “persona të tjerë të lidhur”, “person i përfshirë në krimin e organizuar” dhe “të ardhura të ligjshme”, për të unifikuar praktikat e verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas standardeve të vettingut.
Rishikim të procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës, me qartësim të organeve kompetente, afateve dhe përgjegjësive, për rritjen e besimit publik në sistemin e drejtësisë.
Saktësim të afateve të verifikimit për magjistratët e diplomuar para emërimit, me synim rritjen e eficiencës së procesit.
Rritje të transparencës në lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë, përmes detyrimit për publikimin e vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Përfshirje të opinionit të Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes dhe rizgjedhjes së kryetarëve të prokurorive, si dhe përjashtimin nga kandidimi të magjistratëve me masa disiplinore në fuqi.
Ndryshime në rregullat e komandimit të magjistratëve pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke zgjatur afatin maksimal të komandimit deri në 15 vjet dhe duke krijuar stimuj për rritjen e aplikimeve, përfshirë njohjen e përvojës si vlerë e shtuar në karrierë.
Rritje të transparencës në publikimin e vendimeve për vlerësimin profesional dhe masat disiplinore, me kufizim të anonimizimit vetëm në të dhënat sensitive.
Dispozitë tranzitore për drejtuesit aktualë të gjykatave dhe prokurorive, që parashikon qëndrimin e tyre në detyrë deri më 31 dhjetor 2028, me kusht kalimin e vetting-ut dhe vlerësim pozitiv të performancës.
Në Komision mungonin deputetët e opozitës.
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, foto: Florian Abaz... 1 nga 5/gj.m/j.p/r.e/