Komisionerja Kos në Elbasan, uron shqiptarët për Ditën e Verës: Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme me reformat

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos e cila ndodhet në Shqipëri, nga qyteti i Elbasanit ku iu bashkua festimeve për Ditën e Verës, dha një mesazh për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Kos tha se Shqipëria ka ecur me reformat, por u shpreh se ka ende punë për të bërë deri në anëtarësimin e BE. Në një prononcim për gazetarët Kos tha se nëse ecet me këto ritme, gjithçka do të përfundojë në 2027.
“Unë pata mundësinë që të takohesha me aktorë politikë, mund të them që Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme, po ka ende shumë punë dhe reforma për të bërë. Por në rast se ecet me ritmin që ka qenë deri tani, atëherë patjetër që do të përfundohet gjithçka në 2027″, u shpreh Kos.
Ajo përgëzoi qytetarët shqiptarët për gjithçka që kanë arritur.
“Duke vijuar me këtë ritëm pune dhe me atë pasion shpresoj që së shpejti BE të mos jetë me 27 shtete, por me 28 vende kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar”, tha Kos.
Kos uroi shqiptarët për Ditën e Verës, tregoi edhe arsyet pse vendosi dy verore: “Më thanë që këto sjellin fat, prandaj vura dy një për Shqipërinë një për BE që të jenë fatsjellëse”.
“Është hera e parë që vij është kënaqësi që kam ardhur në Elbasan në Ditën e Verës në këtë ditë kaq të bekuar për qytetin tuaj”, tha Kos.