Komisionet parlamentare dhe KMSHC konsultim në Lezhë, fokus sfidat e Shërbimit Civil

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil zhvilluan një takim konsultativ e informues pune në Lezhë, për njohjen e veprimtarisë së KMSHC, e veçanërisht sfidat e njësive të veteqeverisjes vendore, por dhe projekteve të parashikuara përgjatë periudhës 2026–2027.
Të pranishëm në takim ishin deputetë të dy komisioneve, kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michael Tarran, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, përfaqësues nga zyra e OSBE-së në Tiranë, përfaqësues nga pushtetit vendor, KMSHC, etj.
Në nisje të takimit, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja bëri të ditur se takimi vjen në kuadër të monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura dhe vlerësoi se takimet të këtij formati, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të hapur dhe praktik.
Manja theksoi se, ky është një mundësi e mirë për të njohur dhe diskutuar sfidat dhe nevojat me të cilat përballen këto institucione, si dhe për të synuar përmirësimin e procesit të mbikëqyrjes dhe rritjen e llogaridhënies në nivel institucional.
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Lefterije Lleshi (Luzi) vlerësoi këtë takim si një mundësi për ndërtimin e një qasjeje më të qartë për përmirësimin e disa proceseve, duke përmendur ndryshimet ligjore dhe praktikat e deritanishme që kërkojnë më shumë qartësi dhe koherencë.
Ajo theksoi rëndësinë e një tryeze që përfaqëson të gjithë aktorët e interesit, për të mundësuar diskutime konstruktive.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michael Tarran, e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit, institucioneve të pavarura, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të qeverisjes qendrore dhe vendore.
Ambasadori u shpreh se takime të tilla duhet të kthehen në platforma të rregullta konsultimi që ndikojnë në përcaktimin e prioriteteve dhe reformave në vitet në vijim.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u ndal tek përpjekjet për zbatimin e meritokracisë në rekrutimin e administratës vendore.
Ai vlerësoi procesin e drejtë të rekrutimit dhe ngriti disa shqetësime lidhur me këtë, duke theksuar se bashkëpunimi me KMSHC ka qenë i frytshëm dhe ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e administratës publike në nivel vendor.
Më pas deputetët Arjan Ndoja, Zeqine Çaushi, Olsi Komici, Ermal Pacaj, Gjin Gjoni, Bledi Çomo, Erjo Mile, Onid Bejleri, diskutuan dhe drejtuan pyetje lidhur me sfidat në ndërtimin e strukturës organizative dhe menaxhimin e Shërbimit Civil në njësitë e qeverisjes vendore, ekzekutimin e vendimeve paralajmëruese të Komisionerit dhe problematikat e hasura, nivelin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për rikthimin në detyrë të gjyqfituesve në Shërbimin Civil dhe nevojën për plotësimin e bazës ligjore që e rregullon këtë proces, përvojën e Komisionerit në shqyrtimin e informacioneve të administuara dhe vendosja e saj në funksion të eficiencës së zgjidhjes së problemeve përpara se palët t’i drejtohen gjykatës, uljen e barrës ekonomike e administrative për nëpunësit civilë dhe institucionet, etj.
Gjatë diskutimeve Komisionerja nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të veprimtarisë së KMSHC për të mundësuar një mbikëqyrje më të shpejtë dhe transparente, si dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve administrative për të mundësuar pasjen e një administrate sa më profesionale dhe në përputhje me standardet europiane.
/gj.m/r.e/a.f/