Komisioni Europian rrit pritshmëritë për ekonominë shqiptare

Komisioni Europian ka rritur pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare këtë vit. Në raportin ekonomik të vjështës, Komisioni Europian vlerëson se rritja e ekonomisë do të jetë 6.9%, nga 4.1% që ishte vlerësimi I tyre këtë pranverë. Raporti vlerëson se rimëkëmbja më e shpejtë i dedikohet rikthimit të fuqishëm të turizmit nga vendet fqinje, rritja e lartë e investimeve si dhe rikuperimi i konsumit privat. “Pritshmëritë e rikuperimit të plotë të turizmit dhe të prodhimit në nivelet e përpara krizës parashikohet të mbajnë rritjen ekonomike në shifrën 3.7% për vitin 2022 dhe 3.6% në 2023.”-shkruhet në raport. Por nga ana tjetër Komisioni Europian vlerëson se shkalla e ulët e vaksinimit mund të përbëjë rrezik për rritjen ekonomike. Sikurse sheh si një tjetër rrezik edhe rritjen potenciale të çmimit të energjisë. Raporti thekson se “Një rritje e konsiderueshme e çmimeve të karburanteve fosile mund të ndikojë negativisht Shqipërinë, kryesisht përmes çmimeve më të larta për importet e energjisë elektrike. Duke qenë se Shqipëria e prodhon të gjithë energjinë elektrike nga hidrocentralet, ky faktor mund të bëhet evident në rast të reshjeve të pamjaftueshme.”