Komisioni i Ekonomisë: Banka e Shqipërisë të ketë qasje të kujdesshme për kursin e këmbimit

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat i Kuvendit shqyrtoi sot projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025”, duke përcaktuar edhe disa drejtime prioritare për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2026.
Relatorja e çështjes, kryetarja e komisionit Milva Ekonomi vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe kontrollin e inflacionit gjatë periudhës së kaluar, duke theksuar nevojën për thellimin e mëtejshëm të reformave në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Për vitin 2026, komisioni kërkon që Banka e Shqipërisë të angazhohet në disa drejtime kryesore, mes të cilave:
Avancimi i përafrimit të kuadrit ligjor dhe institucional të Bankës së Shqipërisë me atë të BE-së, veçanërisht në forcimin e masave për parandalimin e financimit të sektorit publik dhe aksesit të privilegjuar;
Hartimi i një ligji të ri bankar në përputhje me standardet europiane për institucionet e kreditit dhe skemën e sigurimit të depozitave, duke synuar rritjen e kontributit në fondin përkatës deri në nivelin 1% të depozitave të mbuluara;
Kontribut më aktiv përmes politikës monetare në zhvillimin e tregut të punës, analizimin e dinamikave demografike dhe të kursit të këmbimit, si dhe dallimin më të qartë mes faktorëve kalimtarë dhe atyre themelorë në ekonomi;
Zbatimi i një qasjeje të kujdesshme ndaj kursit të këmbimit, duke ruajtur regjimin fleksibël si amortizator të goditjeve ekonomike dhe ndërhyrje vetëm në rast nevoje për stabilitet monetar ose rritje të rezervave valutore;
Forcimi i mbikëqyrjes ndaj ekspozimeve të mëdha kreditore, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit, si dhe vëmendje e shtuar ndaj sektorëve të transportit rrugor dhe portual;
Rishikimi i kuadrit ligjor të pagesave në përputhje me standardet e BE-së, me fokus në zhvillimin e pagesave në kohë reale për qytetarët dhe bizneset;
Forcimi i kuadrit rregullator për mbrojtjen kibernetike në sistemin bankar, në kushtet e zgjerimit të shërbimeve digjitale;
Zgjerimi i financimit për investime në sektorë me rrezik klimatik dhe zhvillimi i mëtejshëm i “open banking” për rritjen e transparencës dhe konkurrencës;
Përmirësimi i monitorimit të bankave të reja të licensuara, me qëllim garantimin e përputhshmërisë me kërkesat rregullatore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ekonomi theksoi se këto masa synojnë forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e transparencës dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit bankar shqiptar me standardet europiane.
/e.xh/r.e/a.f/