E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Infrastrukturës, rrëzohet nisma për krizën e karburanteve, Shqipëria drejton Presidencën e Transportit Rajonal

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm u mblodh këtë të hënë për të shqyrtuar sfidat e sigurisë energjetike dhe ecurinë e reformave në transportin rajonal. Mbledhja u karakterizua nga debate mbi qartësinë ligjore të nismave të opozitës dhe vlerësime pozitive për rolin udhëheqës të Shqipërisë në projektet e transportit ballkanik.

Pika e parë e rendit të ditës ishte projektligji i propozuar nga deputeti Eno Bozdo, i cili synonte krijimin e një kuadri ligjor për menaxhimin e krizave të hidrokarbureve. Duke iu referuar tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, Bozdo argumentoi se Shqipëria ka nevojë për instrumente institucionale që garantojnë stabilitetin e çmimeve dhe mbrojnë konsumatorin nga goditjet e tregut ndërkombëtar.

“Qëllimi është pajisja e shtetit me mjete ligjore për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e çmimeve, duke u përafruar njëkohësisht me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian për energjinë,” u shpreh Bozdo gjatë prezantimit.

Megjithatë, nisma hasi në kundërshtimin e mazhorancës. Relatorja Besa Spaho vuri në dukje se projektligji paraqiste problematika në pothuajse të gjitha nenet e tij. Sipas Spahos, propozimi nuk respektonte parimin e “qartësisë dhe parashikueshmërisë” që kërkon jurisprudenca kushtetuese për ligje të kësaj natyre. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit votuan kundër projektligjit në parim.

Shqipëria në krye të Komunitetit të Transportit për vitin 2025

Në pjesën e dytë, vëmendja u zhvendos te bashkëpunimi rajonal, ku drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek, prezantoi Raportin Vjetor 2025. Ky vit shënon një moment rëndësie për diplomacinë infrastrukturore, pasi Shqipëria mban presidencën e Komitetit Drejtues Rajonal.

Zakonjšek vlerësoi progresin e bërë në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke u ndalur në pikat kryesore:

Përmirësimi i kuadrit rregullator, harmonizimi me direktivat e BE-së për sigurinë dhe menaxhimin rrugor.

Linjat e Gjelbra, lehtësimi i transportit ndërkufitar dhe reduktimi i pritjeve në pikat doganore.

Modernizimi i aseteve, përparimi në projektet rrugore strategjike dhe menaxhimin e infrastrukturës ekzistuese.

“Roli aktiv i Shqipërisë në krye të presidencës është një domosdoshmëri për avancimin e prioriteteve strategjike që lidhin rajonin me rrjetet evropiane,” theksoi Zakonjšek.

Anëtarët e komisionit u ndalën në diskutime mbi kapacitetet planifikuese të institucioneve shqiptare, duke kërkuar më shumë efikasitet në zbatimin e reformave sektoriale për të rritur performancën e transportit rrugor dhe hekurudhor në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›