Komisioni i Ligjeve, PD rrëzon hapjen e kutive

Komisioni i Ligjeve rrëzon nenet që kanë lidhje me transparencën e zgjedhjeve. Opozita braktis mbledhjen. Sot, drafti në Kuvend
TIRANË - Ajo që ishte paralajmëruar që gjatë diskutimit në parim, u konkretizua dje në Komisionin e Ligjeve ku mazhoranca ka rrëzuar me votë të gjitha propozimet që përmbante projektligji i paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, nëpërmjet të cilave synohej të realizohej hetimi parlamentar i zgjedhjeve të 28 qershorit.
Veprim ky që ka sjellë largimin e opozitës nga mbledhja e djeshme dhe në të njëjtën kohë shuarjen e të gjitha shpresave për të gjetur një konsensus mes shumicës dhe opozitës në funksion të zgjidhjes së krizës politike ku është zhytur vendi që prej 7 muajsh.
Debati
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku ishte parashikuar të diskutohej nen për nen projektligji i socialistëve për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare, si dhe amendamentet e paraqitura prej PD-së po për këtë çështje, është shndërruar që në çelje të saj në një arenë debati mes përfaqësuesve të opozitës dhe shumicës parlamentare lidhur me procedurën e diskutimit dhe votimit të tyre.
Të njohur paraprakisht me amendamentet e paraqitura prej demokrateve në orët e vona të pasdites së të hënës, ku dhe propozohej rrëzimi i të gjitha neneve që përmbante projektligji i socialistëve duke zëvendësuar disa prej tyre me propozime shtesë, deputetët socialistë kanë kërkuar nga mazhoranca që para se të kalohej në proces votimi të shprehej vullneti për të miratuar nenin 4 të draftit të tyre pa ndryshime, duke theksuar se kjo dispozitë përmbante thelbin e të gjithë debatit të zhvilluar gjatë këtyre muajve, pra krijonte mundësinë për hapjen e kutive. "Thelbi i kërkesës sonë është neni 4.
Nuk ka pse të bëjmë hipokrizi. Për të qenë korrekt me të vërtetën ne theksuar se thelbësor është neni 4, duke shtuar se kjo është thelbësore, por jo e panegociueshme, duke lënë mundësinë nëse mund të gjendet një zgjidhje për ta konsideruar hapjen e kutive zgjedhore një provë të rëndësishme.
Për fat të keq amendamentet që ju keni bërë cenojnë iniciativën tonë në thelbin e saj", - tha Xhafaj, duke kërkuar në të njëjtën kohë që edhe diskutimi i projektligjit të niste pikërisht nga neni 4 i projektligjit.
Por kërkesa e tij ka gjetur kundërshtimin e demokratëve, të cilët nëpërmjet kryetarit të komisionit, Ilir Rusmali, kanë deklaruar se një gjë e tillë ishte e pamundur të bëhej për shkak të procedurës. "Shqyrtimi nen për nen kërkon shqyrtimin nen për nen jo selektiv. Sigurisht që jam i sigurt se ne do debatojmë më shumë në nenin 4, por diskutimin tani e kemi tek neni 1", - tha Rusmali.
Kjo ka bërë që përfaqësuesit e majtë të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre, duke i bërë thirrje dhe një herë shumicës që ta nisë diskutimi nga neni 4 si shprehje e vullnetit për të zgjidhur krizën, në të kundërt ata kanë paralajmëruar largimin nga mbledhja. Çka e kanë vënë në zbatim menjëherë sapo përfaqësuesit e mazhorancës kanë refuzuar këtë kërkesë. "Është e tepërt të vazhdojmë të rrimë në komision kur politikisht është rrëzuar ajo që është thelbësore për ne", - tha Xhafaj, duke u larguar nga mbledhja së bashku me deputetët socialistë.
Miratimi
Largimi i opozitës nuk ka penguar mazhorancën e djathtë që të vijojë pas një ndërprerje të shkurtër mbledhjen me miratimin e amendamenteve të PD-së dhe rrëzimin e draft-ligjit të PS-së. Një procedurë kjo që në vetvete përbënë një shkelje të procedurës së miratimit të ligjeve, pasi komisioni ka votuar fillimisht për amendamentet e PD-së, të cilat rrëzonin dispozitat e projektligjit të socialistëve.
E vetmja pikë që është pranuar nga i gjithë drafti i socialistëve ishte propozimi që përmbante neni 1 i projektligjit dhe që në të vërtetë nuk kishte ndonjë vlerë thelbësore për atë që kërkon opozita, pasi vetëm sanksionon që përfundimet e komisioneve hetimore të shërbejnë për të hartuar nisma të reja ligjore për përmirësimin e kodit.
Në këtë nen demokratët kanë shtuar edhe një paragraf tjetër të tyren ku thuhet: "Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh, për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor".
Një paragraf ky që mbyll çdo shteg për të hetuar zgjedhjet e shkuara për zonat e Tiranës, Beratit, Fierit, Shkodres dhe Durrësit, për të cilat ka pasur një proces shqyrtimi në Kolegj Zgjedhor.
Gjithashtu, shumica, pavarësisht premtimeve publike të kryeministrit Berisha, ka rrezuar vetëm me votat e saj edhe propozimin e socialistëve për të përcaktuar në ligj të drejtën e opozitës për të pasur shumicën e anëtarëve në komisionet hetimore parlamentare për zgjedhjet, duke sanksionuar në të njëjtën kohë se hetimi parlamentar nuk mund të zgjasë më shumë se 3 muaj.
Komisioni ka votuar gjithashtu amendamentin tjetër të paraqitur nga deputetët demokrat, nëpërmjet të cilit rrëzohej ai që konsiderohej nga socialistët si thelbi i gjithë këtij debati, pra nenin 4 të projektligjit të tyre, ku dhe parashikoheshin mënyrat për marrjen e provave nga komisioni hetimor, duke hapur edhe kutitë e votimit.
Me këtë demokratët kanë mbyllur çdo shteg që mund të çojë në gjetjen e një kompromisi. E vetmja rrugë mbetet tashmë seanca plenare, ku dhe mund të bëhen sërish ndryshimet përkatëse.
Drafti përfundimtar i miratuar nga Komisioni i Ligjeve
Amendamente për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891", datë 2.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", për ta përqasur përmbajtjen e tij me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
I
Në nenin 1 të projektligjit bëhet ky amendament:
Më pikën 1 të nenit 4 shtohen fjalitë e mëposhtme:
"Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh, për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor".
Ne nenin 4, pika 5 ndryshon si më poshtë:
"Komisionet hetimore te Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar ia paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore".
II
Neni 2 i projektligjit ndryshohet si vijon:
Neni 2
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1 me këtë përmbajtje:
Neni 4/1
Hetimi i Zgjedhjeve
1. Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj.
III
Pas nenit 3 të projektligjit shtohet një nen me këtë përmbajtje
Neni 3/A
Në nenin 5, pika 1 pas fjalës "paraqet" shtohet ky togfjalësh "objektin e hetimit, i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet ..."
Debati
Xhafaj:
"Kjo nismë shërbente për t'i dhënë një zgjidhje pozitive krizës, thelbin për të cilën ajo mbahet dhe natyrisht ka të bëjë me iniciativë ligjore që ne kemi sjellë në kuvend. Për t'iu përgjigjur drejtpërdrejt një kolegut tuaj që kishte të drejtë, duke thënë gjatë diskutimit të tij se askush nuk duhet t'i bie vërdallë, por thelbi i kërkesës është neni katër i projektit tonë. Kolegët e mi në parashtrimet që bënë dhe unë dje theksuam se kjo është e vërtetë.
Thelbi i kërkesës sonë është neni 4. Nuk ka pse të bëjmë hipokrizi. Për të qenë korrekt me të vërtetën ne theksuam se thelbësor është neni 4, duke shtuar se kjo është thelbësore, por jo e panegociueshme, duke lënë mundësinë nëse mund të gjendet një zgjidhje për ta konsideruar hapjen e kutive zgjedhore një provë të rëndësishme. Për fat të keq, amendamentet që ju keni bërë, cenojnë iniciativën tonë në thelbin e saj. Në këtë mënyrë ajo nuk qëndron. Do kërkonim të hapnim diskutimin me nenin
4. Nëse biem dakord që ky nen të jetë pjesë e projektit ne jemi të hapur për të vazhduar debatin në të kundërt çdo gjë do ishte e tepërt. Ne nuk duam të bëjmë sikur nuk jemi, jemi dhe jemi për këtë gjë".
Rusmali:
"Shqyrtimi nen për nen kërkon shqyrtimin nen për nen jo selektiv. Sigurisht që jam i sigurt se ne do debatojmë më shumë në nenin 4, por diskutimin tani e kemi te neni 1. Unë do sugjeroja që të procedojmë sipas rregullit, pyetje rreth nenit 1 diskutime, propozime alternative, kemi një amendament për nenin 1, bëjmë komentet për të kalojmë me radhë nenet. Projektligji nuk aq shumë nene. Amendamentet ndaj tij nuk janë shumë, kështu që besoj se radha e nenit 4 vjen shpejt. Kështu që të nisim pa humbur kohë".
Xhafaj:
"Ritheksoj se ne konsiderojmë thelbësor debatin për nenin 4 që është thelbi politik dhe juridik. Ky amendament është shprehje e një gjykimi politik të PS-së. Nëse ju nuk na thoni se jeni të gatshëm për ta diskutuar këtë gjë mendoj se është e tepërt të vazhdojmë të qëndrojmë në komision.
Nëse doni ta bëni këtë gjë jemi të gatshëm të jemi prezent në rast të kundërt ne duke iu falënderuar për kohën e dobishme, për të debatuar dhe shkëmbyer pikëpamjet në përpjekje për zgjidhje pozitive. Është e tepërt të vazhdojmë të rrimë në komision kur politikisht është rrëzuar ajo që është thelbësore për ne".
Rusmali:
"Unë besoj se debati për procedurën nuk ka sens. Diskutimi nen për nen nuk bëhet nga fundi në fillim. Këtu ka një set amendamentesh që janë të rëndësishme po aq sa projektligji. Janë objekt shqyrtimi si projektligji. Janë përfundimtare po aq sa nenet e projektligjit. Nëse nenet e projektligjit nuk janë përfundimtare as këto nuk janë.
Ky komision e shpreh vullnetin e tij në fund nëpërmjet votës, kur voton. Këtu ka nisëm për projektligji dhe nisëm për amendamentet nuk mund të prish procedurën. Neni 4 vjen shpejt nuk kërkon ditë, është 3 nene pas nenit 1 dhe nuk ka senat debati. Duke u ftuar për më shumë vëmendje ndaj rregullores të hapim diskutimet për nenin 1".
Paloka:
"Zotërinjtë duan të ikin".
Xhafaj:
"Ju vazhdoni"
Rusmali:
"Ju bëj thirrje mos ta ndërmerrni këtë vendim se gjërat nuk mund të bëhen duke bërë presion mbi rregullat"