Komisioni i Ligjeve miraton pesë projektligje dhe pr/rezolutën për veprimtarinë e SPAK për 2025-ën

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.
Në vijim, komisioni diskutoi mbi një ndryshim në ligjin “Për akuakulturën”, nismë e deputetit Agron Gaxho. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë mendimin e tyre mbi nismën ishin Fatmir Guri, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe stafi teknik i kësaj ministrie.
Deputeti Gaxho prezantoi qëllimin dhe risitë e parashikuara në nismë, për të cilën parashtroi se synon thjeshtimin, qartësimin dhe përditësimin e kuadrit rregullator që lidhet me kultivimin e organizmave joautoktonë në veprimtarinë e akuakulturës.
Sipas tij, ndryshimi i propozuar në nenin 29 të ligjit aktual parashikon që rregullat për kultivimin e specieve aliene dhe lokalisht të munguara të përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën.
Kjo sipas tij, do të krijojë një mekanizëm më të shpejtë dhe më të përshtatshëm për miratimin dhe përditësimin e rregullave teknike, në përputhje me zhvillimet shkencore, kërkesat e mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit, si dhe nevojat reale të zhvillimit ekonomik të sektorit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e disa shtesave dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”, që u prezantua nga zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri.
Në fjalën e tij, Guri u ndal te risitë dhe qëllimi i projektligjit, për të cilin parashtroi se synon plotësimin e kuadrit ligjor për lejimin e ushtrimit të aktivitetit bujqësor nëpërmjet teknologjive inovative, si: aeroponia, akuaponia dhe hidroponia për t’u zhvilluar në tokë bujqësore.
Guri nënvizoi se projektligji nuk dobëson mbrojtjen e tokës, por projektligji mundëson përdorimin e teknologjive të reja, që do të ndikojnë në rritjen e prodhimit bujqësor.
Deputeti Ermal Pacaj, në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, dhe duke u ndalur tek kushtetueshmëria dhe përputhshmëria me Rregulloren e Kuvendit, ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Komisioni vijoi me shqyrtimin në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025” , i cili u prezantua nga Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Muçaj u ndal tek qëllimi i marrëveshjes dhe përfitimet e pritshme, si dhe sqaroi se nëpërmjet kësaj konvente mundësohet krijimi i Byrosë të ECAC-së, e cila do të gëzojë personalitetin e vet juridik për të përmbushur në mënyrë eficiente rolin e saj lidhur me Konferencën Evropiane të Aviacionit Civil.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga zëvendësministri i Mjedisit, Gent Gazheli.
Gazheli parashtroi se qëllimi i këtij projektligji është harmonizimi me legjislacionin në fuqi në fushën e lejeve dhe licencave për industrinë, si dhe përmirësimi dhe thjeshtimi i kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të kimikateve, nëpërmjet lehtësimit të procedurave administrative dhe krijimit të një mekanizmi më efikas për administrimin e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC), në funksion të zbatimit më praktik dhe fleksibël të legjislacionit kombëtar ekzistues.
Një tjetër projektligj i shqyrtuar sot në komision ishte ai “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Projektligji u prezantua nga Enkelejdi Joti, zëvendësministër i Mbrojtjes, i cili sqaroi nevojën e sjelljes së amendimeve të ligjit, që ka hasur disa vështirësi në zbatimin e tij, si dhe parashtroi se ndryshimet synojnë rikategorizimin e autoriteteve përgjegjëse për dhënien e masave disiplinore, përcaktimi i afateve dhe formave të njoftimit në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, etj.
/m.m/r.e/