E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni i Rithemelimiti të PD, hap garën për kandidatë në 6 bashkitë

Fraksionet në Partinë Demokratike po shkojnë edhe drejt formalizimit të dy palë kandidaturave në zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki. Pas deklaratës së Lulzim Bashës, që tha se nuk PD nuk do t’i ikë asnjë beteje dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet, që pritet të mbahen më 6 mars, Komisioni i Rithemelimit ka njoftuar se ka hapur procesin për përzgjedhjen e kandidaturave që do të garojnë në zgjedhjet për bashkitë që nuk kanë kryetar. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet më 30 janar, ndërkohë janë caktuar dhe kriteret që duhet të ketë një kandidat.

DEKLARATA E KOMISIONIT TË RITHEMELIMIT

Duke ndjekur situatën politike për zgjedhjet e pjesshme, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit në emër të Partisë Demokratike deklaron se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve për tu dhënë shqiptarëve mundësinë për tu përfaqësuar në qeverisjen vendore me kapacitetet më të mira të vendit.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi sot hapjen e procesit të Primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave më të mira për secilën nga bashkitë në garë.

Nga sot, në të gjitha bashkitë ku do të hapet gara, Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet në datën 30 Janar 2022 sipas parimit “të primareve”.

Në përputhje me statutin e PDSH neni 12 dhe 38, kandidatët mund të evidentohen:

Me vetëpropozim;
Propozim nga anëtarësia;
Propozim nga organet qendrore të PDSH.

Kandidatët duhet të jenë personalitete me autoritet të lartë politik, profesional dhe shoqëror.

Dokumentacioni i nevojshëm duhet të paraqitet pranë Komisionit të Rithemelimit të PD dhe duhet të përmbajë CV profesionale dhe politike të kandidatëve si dhe formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës së kanditatit.

Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 24 Janar 2022 ora 00:00.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›