E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni kundër dezinformimit, Keta: Domosdoshmëri, kriminalizimi i ndërhyrjes në proceset zgjedhore

TIRANË, 4 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Në Komisionin e Posaçëm Kundër Dezinformimit u prezantua sot draftstrategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit për periudhën 2025-2030.

Për komponentin që ka të bëjë me proceset demokratike, kryesisht me zgjedhjet, raportoi në komision Reald Keta, drejtuesi i grupit të punës që punoi për rekomandimet në këtë fushë.

Keta solli në vëmendje se kuadri ligjor në Shqipëri parashikon dy regjime për kufizimet dhe dhe kontrollin e financave politike në periudhën zgjedhore dhe jo zgjedhore, ku në thelb procesi mbështetet në vetëdeklarim.

Për sa i përket kontrollit të veprimtarisë politike, Keta tha se KQZ është pajisur me instrumentet e duhur të auditëve dhe monitoruesve.

Po ashtu, ai theksoi se legjislacioni shqiptar i ndalon donacionet e marra nga jashtë dhe në rast shkeljesh parashikon vetëm penalitete financiare dhe nuk parashikon hetime në raport me këto donacione.

Sipas tij, “legjislacioni shqiptar parashikon vetëm mediet audiovizuale pa trajtuar shtypin e shkruar, mediet elektronike dhe rrjetet sociale, një nevojë kjo për t’u adresuar”.

Duke u ndalur te rekomandimet, Keta tha se kuadri ligjor duhet të adresojë fushatën-hije, fushatën në platformat online dhe fushatën elektronike. “Thelbi i rekomandimit është transparenca financiare për këto fushata,” theksoi ai.

Gjithashtu, sipas tij, domosdoshmëri mbetet kriminalizimi i ndërhyrjes në proceset zgjedhore.

“Kjo mbetet një nga çështjet që kërkon diskutim të gjerë për adresimin e kësaj vepre,” tha ai.

Keta theksoi edhe domosdoshmërinë e deklarimit të veprimtarisë financiare në periudha ciklike më të shkurtra dhe madje para fushatës zgjedhore, një rekomandim i vjetër ky i Komisionit të Venecias, ende i paadresuar.

“Nevojitet ndryshimi i legjislacionit për mediet audiovizuale. Po ashtu, nevojitet përfshirja e mekanizmave auditues në infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të përfshirë në zgjedhje. Edhe pse Shqipëria ende nuk ka zbatuar përdorim masiv dhe tërësor të teknologjisë në zgjedhje, potencialisht këto janë pika kritike të synuara në raste ndërhyrjeje,” tha ai.

Rekomandime të tjera të nevojshme, sipas Ketës, janë transparenca dhe ndërveprimi ndërshtetëror dhe ndërinstitucional.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›