E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni miraton ligjin kundër diskriminimit të homoseksualëve

Komisionet kuvendore i kanë dhënë dje fund debatit për projektligjin e ri kundër diskriminimit të homoseksualëve, biseksualëve dhe travestitëve të propozuar nga dhjetë deputetë të mazhorancës së djathtë për miratim. Tashmë, do të pritet vendosja e projektligjit në axhendën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar.
Projektligji
Projektligji në fjalë parashikon masat me të cilat do të sigurohet mosdiskriminimi i asnjë qytetari shqiptar, nga të gjitha elementet e jetës publike, për arsye joobjektive, përfshi këtu edhe arsye të orientimit seksual. Projektligji parashikon ngritjen e strukturave të reja, siç është Komisioneri i Lartë kundër Diskriminimit, që do të monitorojë zbatimin e këtij ligji.
Ministri i Punës e kishte cilësuar këtë ligj si një domosdoshmëri të kohës. “Ky projektligj duhet përshëndetur për faktin se ka në objekt të tij mbrojtjen e kategorive më vulnerabël shoqërore nga të gjitha llojet e diskriminimit, paraqitet në momentin e duhur dhe rrit shkallën e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore për të garantuar mosdiskriminimin në një shoqëri demokratike si kjo jona”, - kishte deklaruar ai.
Kundërvëniet
Ndërkohë, projektligji është përshëndetur edhe nga Aleanca Kundër Diskriminimit të Personave LGBT, ndërsa zërat kundër kanë qenë më të pakta në artikulim.
“Duam të sqarojmë se ky projektligj, i cili do të kalojë gjatë ditëve të para të muajit shkurt në seancë plenare, është një hap thelbësor që Shqipëria bën drejt krijimit të të gjithë infrastrukturës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Komuniteti LGBT (lesbike, gej, biseksualë dhe transgender) është vetëm një prej kategorive të pambrojtura të shoqërisë që përfiton nga miratimi i një ligji të tillë”, - deklaroi Aleanca.
Ndërkohë, avokati Altin Goxhaj e kundërshtoi dje vendimin, duke deklaruar se ai vendos standarde të dyfishta në jetën publike. “Ky projektligj cenon të drejtat e qytetarëve dhe mbi të gjitha krijon hapësirë për persekutime individuale dhe kolektive për qëllime të paligjshme. Sipas këtij projektligji, një homoseksual apo transeksual ka të drejtë të jetë mësues 9-vjeçareje, të mesmeje, edukator kopshti, ndërsa një myslimane e mbuluar jo”, - deklaroi avokati Goxhaj.
Tashmë pritet kalimi i këtij projektligji për miratim në Kuvend. Shqipëria, me anë të kësaj nisme ligjore, pritet të mbyllë të paktën ligjërisht cenimin e të drejtave të këtyre kategorive sociale në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›