E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Dëmi ekonomik, 7.3 miliardë lekë, doganat e tatimet kryesojnë

Administrata publike vazhdon të abuzojë me fondet e buxhetit, duke i shkaktuar një dëm financiar shtetit në miliarda lekë. Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah dëmin e madh ekonomik të shkaktuar nga administrata publike, një vlerë afro 7.3 miliardë lekësh. Ky dëm ekonomik është shkaktuar kryesisht nga administrata doganore, nga ajo tatimore, si dhe nga fondet e prokurimeve publike. Nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit të kaluar nga ekipet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 7.305.656.000 lekësh. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2007-2008 dhe 9-mujorit të vitit 2009. Sipas raport të KLSH-së, në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, dëmi rezulton në një vlerë prej 3.190.779.000 lekësh, ku shkelës rezultojnë
Ministria e Mjedisit, Pyjeve e Administrimit të Ujërave, Tiranë, në vlerën 538.738.000 lekë, Albpetrol, sh.a. Patos, në vlerën 2.610.563.000 lekë, e cila përfaqëson moslikuidimin e faturave të shitjeve të produkteve nga ARMO sh.a. deri në fund të vitit 2008 dhe diferenca në çmim të këtyre shitjeve; Autoriteti Portual, Durrës, në vlerën 13.559.000 lekë, nga aplikimi i çmimeve të ndryshme të dhënies me qira të shesheve për subjekte private, në kundërshtim me VKM nr. 162, datë 07.03.2007, Enti Kombëtar të Banesave, Tiranë, në vlerën 5.913.000 lekë etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›