Komisioni për Evropën, seancë dëgjimore për kapitujt 4 dhe 17 të negociatave me BE-në

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të fokusuar në Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”.
Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetarja e komisionit, Bora Muzhaqi, ndërsa e ftuar ishte zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.
Gjatë prezantimit të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, Ahmetaj theksoi se kjo është një nga katër liritë themelore të Bashkimit Evropian dhe përbën një element kyç për krijimin e një tregu financiar të hapur, të integruar, konkurrues dhe efikas.
Sipas saj, kushtet për mbylljen e këtij kapitulli kërkojnë që Shqipëria të sigurojë përafrimin e plotë të legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së në fushën e lëvizjes së kapitalit dhe të dëshmojë se do të jetë në gjendje ta zbatojë atë plotësisht deri në momentin e anëtarësimit, duke eliminuar të gjitha kufizimet e mbetura.
Ahmetaj u ndal gjithashtu te përafrimi i legjislacionit në fushën e pagesave, duke theksuar nevojën për harmonizimin me acquis-in evropian për shërbimet e pagesave, pagesat ndërkufitare dhe Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA).
Në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ajo nënvizoi se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht kuadrin ligjor me direktivat dhe rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian, si dhe të demonstrojë kapacitete të mjaftueshme administrative dhe rezultate konkrete në zbatimin e tyre.
Duke prezantuar Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”, Ahmetaj theksoi se ky kapitull mbështetet në parimet e ekonomisë së tregut të hapur, konkurrencës së lirë, stabilitetit të çmimeve dhe koordinimit të politikave ekonomike me ato të Bashkimit Evropian.
Ajo bëri të ditur se kuadri i Bashkimit Ekonomik dhe Monetar kërkon harmonizimin gradual të politikave ekonomike të vendeve anëtare me ato të BE-së, ndërsa shtetet janë gjithashtu subjekt i rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes për mbikëqyrjen fiskale.
Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilluan diskutime mbi ecurinë e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të negociatave për këta dy kapituj.
/gj.m/r.e/