Komisioni për Nismat Qytetare shqyrton rezolutën për Komisionerin kundër Diskriminimit

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku u mbajt një seancë dëgjimore për shqyrtimin e projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025”.
Në mbledhje morën pjesë Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa (Bungo), si dhe përfaqësues të institucionit.
Deputetja Romina Kuko, në cilësinë e bashkëraportueses, paraqiti një vlerësim mbi shkallën e zbatimit të rekomandimeve të lëna në rezolutën e Kuvendit për këtë institucion, si dhe propozoi riformulimin e disa prej tyre me fokus përmirësimin e punës në vijim.
Sipas saj, rekomandimet lidhen ndër të tjera me rritjen e aksesit në të dhëna, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Avokatin e Popullit, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe shoqërinë civile, në funksion të përmbushjes së standardeve të Bashkimit Evropian në fushën e barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi.
Komisionerja Tafa prezantoi një përmbledhje të veprimtarisë së institucionit, duke raportuar mbi zbatimin e rekomandimeve të rezolutës së mëparshme, sfidat e hasura, si dhe masat e ndërmarra për forcimin e rolit të Komisionerit.
Ajo u ndal gjithashtu te aktivitetet ndërgjegjësuese kundër gjuhës së urrejtjes dhe monitorimi i përdorimit të teknologjisë në shërbimet publike bazë.
Sipas saj, gjatë vitit 2025, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar gjithsej 424 çështje, prej të cilave 404 ankesa dhe 20 çështje të nisura kryesisht, ndërsa janë regjistruar 342 çështje të reja. Krahasuar me vitin 2024, është evidentuar rritje e aktivitetit institucional si në numrin e çështjeve të reja, ashtu edhe në totalin e çështjeve të trajtuara.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve të deputetëve, komisioni miratoi projektrezolutën, e cila do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
/gj.m/r.e/