Komisioni për Sterilizimin dhe Check-Up, Vokshi: Thirrja e dëshmitarëve në mbledhjen tjetër

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës.
Nën drejtimin e kryetares Albana Vokshi në këtë mbledhje u miratuan procesverbalet e mbledhjeve të kaluara.
Vokshi tha se “kryesia e komisionit do të mblidhet nesër dhe do të vendosë edhe për procedurat, shkresat dhe dëgjesat”.
“Meqenëse disa prej kolegëve edhe të mazhorancës dhe të opozitës kanë bërë vërejtje për vonesën e informacioneve ka një propozim që dëgjesa e dëshmitarëve të shtyhet për t’i lënë kohë deputetëve të marrin më shumë informacione. Vetëm me dëgjesat që kishim sot janë raporte të auditit të 3 institucioneve duke filluar nga 2015 deri në 2023 që duhet të diskutoheshin. Disa prej kolegëve nuk kanë arritur t’i lexojnë”, theksoi Vokshi.
Mbledhja vendosi me konsensus, që seancat dëgjimore të parashikuara në rendin e ditës së mbledhjes së sotme me thirrjen e dëshmitarëve, përfaqësues të KLSH, të shtyhen në mbledhjen tjetër, për t’ju lënë kohë anëtarëve të komisionit të lexojnë raportet e ardhura, të cilat janë voluminoze.
/k.s/r.e/