Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton në parim projektligjin Për Faljen
Pas seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë me palët e interesuara, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi sot diskutimet mbi projektligjin Për Faljen. Fillimisht, fjalën e mori relatori i këtij projektligji, deputeti Viktor Gumi, i cili lexoi një raport në të cilin pasqyrohej riformulimi i disa neneve.
Relatori vlerësoi se projektligji i paraqitur është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe sjell një trajtim të ndryshëm, korrekt dhe bashkëkohor të faljes sipas praktikës europiane. Ai theksoi se bashkë me amendamentet e paraqitura mund të vijohet me shqyrtimin e mëtejshëm në komision e më pas edhe në seancë plenare.
Një element i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe përcaktimi i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social.
Në vijim, anëtarët e komisionit, si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca diskutuan mbi përmbajtjen e projektligjit duke vlerësuar rëndësinë e tij përsa i përket përcaktimit të kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan në parim projektligjin duke vendosur miratimin nen për nen të tij në mbledhjen e ardhshme.