E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjen Gjetja për ndarjen e parakohshme nga jeta të poetit Ndoc Gjetja.

8 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh familjes Gjetja ku shprehen ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të poetit Ndoc Gjetja.

“Të dashur familjarë të poetit Ndoc Gjetja,

Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen e parakohshme të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, të poetit të shquar Ndoc Gjetja.

Mjeshtri i fjalës poetike, i ndjenjave të epërme njerëzore, i dashurisë dhe dhimbjes do të mbetet përjetësisht i nderuar në panteonin e kulturës shqiptare, do të frymëzojë brezat e ardhshëm të poetëve shqiptarë e do t’i ushqejë me dashurinë për fjalën e vërtetë e të bukur shqipe.

Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e madhe të njeriut, poetit e shkrimtarit erudit, këtij personaliteti me vlera të jashtëzakonshme humane dhe intelektuale, jam i bindur se të gjithë lexuesit shqiptarë dhe admiruesit e poezisë së tij do t’i mbeten përjetësisht mirënjohës Ndoc Gjetjes për shpirtin, talentin, thjeshtësinë, fuqinë e mendimit e modelin njerëzor që ofroi në përballimin e sfidave të jetës.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›