E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni për verën – Anëtarët mandat 3-vjeçar, organizimi dhe funksionimi

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Sektori i prodhimit të verës dhe vreshtaria do të kenë një komision të posaçëm. Synimi i komisionit është rritja e standardit të prodhimit të Verës, sipas standardeve të BE, në funksion të rritjes së eksportit drejt vendeve të unionit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e së enjtes të qeverisë, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, kuadri i ri ligjor ka për qëllim përcaktimin e rregullave për funksionimin, organizimin, kohëzgjatjen dhe detyrat e Komisionit të Verës. Gjithashtu vendimi saktëson procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Verës që bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi, por jo më shumë se një herë.

“Kërkesa për të qenë anëtar, si ekspert nga fusha akademike ose nga institucionet kërkimore-shkencore ose të pavarura, bëhet on-line në faqen zyrtare të internetit të ministrisë, në adresën zyrtare të publikuar”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Sipas vendimit, në qoftë se kërkesa e kandidatit të interesuar nuk është paraqitur në përputhje me kërkesat kandidatit i kërkohet, nëpërmjet postës elektronike, që të korrigjojë pasaktësitë ekzistuese, brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit. Kur kandidati i interesuar plotëson pasaktësitë brenda afatit të përcaktuar, kërkesa quhet e regjistruar nga dita që është dërguar. Kur kandidati i interesuar nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të caktuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet kandidatit bashkë me aktet e tjera.

Shkarkimi i anëtarit të Komisionit të Verës përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit.

Detyrat e kryetarit të Komisionit të Verës përfshijnë: Organizimin dhe drejtimin e punës së Komisionit të Verës; thirrjen e mbledhjeve të Komisionit të Verës; kryesimin e mbledhjeve të Komisionit të Verës; përcaktimin e agjendës paraprake të mbledhjeve të Komisionit të Verës; monitorimin e afateve procedurale për aplikimet, në zbatim të ligjit për vreshtarinë dhe verën dhe të këtij vendimi dhe përfaqësimin e Komisionit të Verës.

Kryetari mund të paraqesë në rendin e ditës të mbledhjes çështje të tjera, që nuk janë të përfshira në axhendën e paraqitur paraprakisht, nëse të gjithë anëtarët janë të pranishëm.

Mbledhjet e Komisionit të Verës janë të mbyllura dhe thirren nga kryetari, si rregull një herë në muaj, në bazë të informacionit të marrë nga struktura përgjegjëse. Komisioni mund të mblidhet edhe kur shumica e anëtarëve paraqesin kërkesë me shkrim, duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje.

Sipas vendimit, anëtarët e Komisionit të Verës njoftohen me shkresë zyrtare ose elektronike për datën dhe agjendën paraprake të mbledhjes, të paktën shtatë ditë pune para ditës së mbledhjes. Por kur kryetari thërret një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit, brenda një periudhe më pak se shtatë ditë pune nga dita e mbledhjes së Komisionit të Verës, kjo ndodh në raste kur: ndryshimet në specifikimet e produktit kërkojnë vlerësim të menjëhershëm për të mos penguar hedhjen në treg të produktit; nevojitet vlerësimi i komenteve për emërtime të regjistruara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; nevojitet, në çdo rast tjetër, një vlerësim i menjëhershëm i produktit.

Në vendim sqarohet se “kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Verës realizohet kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, duke përfshirë  kryetarin dhe sekretariatin”.

Procedura për mbledhjen e Komisionit të Verës është e ndarë në disa pika.

Fillimisht mbledhja çelet nga kryetari, i cili kërkon miratimin e axhendës paraprake me ndryshimet, nëse ka; Sekretari paraqet verbalisht përpara komisionit një pasqyrë të përmbledhur të kërkesave të palëve, të fakteve dhe të provave, të depozituara para fillimit të shqyrtimit të çështjeve; Kryetari shtron për diskutim me radhë të gjitha çështjet, që janë vendosur në axhendë; Kryetari i fton anëtarët të votojnë në përfundim të të gjithë procedurës së shqyrtimit e të shkëmbimit të opinioneve. Asnjë nga anëtarët nuk mund të abstenojë nga vendimmarrja. Votimi është i hapur në të gjitha rastet.

Po ashtu, mendimi i anëtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin dhe nënshkruhet me fjalën “kundër”;  Vendimet e Komisionit të Verës miratohen me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm; Në rast se, rreth një çështjeje, votimi është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

Vendimi i Komisionit të Verës bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të ministrisë; Kryetari merr masa që, në fund të takimit, të përgatisë vendimin e arsyetuar, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votimin e tij. Një kopje e vendimit i dorëzohet sekretarit për t’ia bashkëlidhur dosjes së çështjes; Procesverbali u bëhet i ditur të gjithë anëtarëve të pranishëm dhe firmoset brenda pesë ditëve nga data e mbledhjes.

Dokumentacioni i prodhuar gjatë gjithë procedurës u nënshtrohet rregullave në fuqi për arkivat.

Struktura përgjegjëse për skemat e cilësisë në ministri, në rolin e sekretariatit të Komisionit të Verës, përveç detyrave të parashikuara kryen edhe detyra të tilla si; Mban, ruan dhe përditëson të gjitha kontaktet e anëtarëve të komisionit; Ndjek afatet procedurale dhe detyrimet e përcaktuara në ligjin për vreshtarinë dhe verën e në këtë vendim dhe informon në kohë kryetarin; Përgjigjet për mbarëvajtjen e veprimtarisë së komisionit nga ana logjistike dhe administrative; Është përgjegjëse për dosjet e kërkesave të depozituara, përcjelljen e tyre për shqyrtim pranë komisionit, si kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet; Ndjek ekzekutimin e vendimeve të komisionit dhe dërgimin zyrtar të vendimeve në adresat përkatëse, duke njoftuar komisionin lidhur me dërgimin zyrtar të vendimeve në destinacion; U komunikon anëtarëve me e-mail orën dhe datën e mbledhjes, së bashku me rendin e ditës; Përgatit njoftimet e Komisionit të Verës për palët, lidhur me paraqitjen e argumenteve, prapësimeve dhe çdo dokument tjetër të nevojshëm, të përcaktuar në ligjin për vreshtarinë dhe verën e në këtë vendim.

Mban minutat e takimit, procesverbalin e mbledhjes, listën e pjesëmarrësve dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara nga kryetari i komisionit; Shpërndan procesverbalin te të gjithë anëtarët e komisionit dhe siguron firmosjen nga të gjithë, brenda pesë ditëve punë; Mban të gjithë dokumentacionin e Komisionit të Verës, ku përfshihen edhe kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet dhe vendimet.

Çdo anëtar i komisionit ka të drejtë të propozojë çështje të tjera për diskutim, të ndryshme nga ato të parashikuara në axhendën paraprake. Anëtarët e komisionit detyrohen: Të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit të Verës ose të njoftojnë, deri në një ditë përpara datës së caktuar për mbledhje, arsyen e mungesës; Të kryejnë vlerësimet për kërkesat për regjistrim të një vere me TGJ-në ose EO-në, sipas parashikimeve dhe afateve të përcaktuara në ligjin për vreshtarinë dhe verën; të kryejnë vlerësimet për kërkesat për mbrojtje të termit tradicional për EOM-në ose TGJM-në; të kryejnë çdo detyrë tjetër, të përcaktuar në ligjin për vreshtarinë dhe verën.

Kryetari, sekretariati dhe anëtarët e komisionit detyrohen të ruajnë konfidencialitetin e informacionit rreth kërkesave për regjistrim, kërkesave për ndryshimin e specifikimeve, vërejtjeve dhe kundërshtimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›