Kompania e burrit të Albana Vokshit, partnere e kompanisë mashtruese për evazion fiskal
Kompania Stream Oil Gaz, me të cilën ka deklaruar transaksione fallco, është kompania ku është pronar Arian Tartari, burri i Albana Vokshit, deputete e PD.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka ndaluar tre shtetas dhe ka nën hetim 11 të tjerë të dyshuar për transaksione fallco dhe si rrjedhim evazion fiskal përmes krijimit të një kompanie fantazëm, e cila shkarkonte fatura si partnere e kompanisë Stream Oil Gaz.
Burime zyrtare të Prokurorise së Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, i thanë medies se prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Përgjithshme të Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Kompania guaskë” bënë të mundur arrestimin e shtetasve Besnik Murataj, 37 vjeç, Dylejman Qerimi, 58 vjeç, Ervis Sinanaj, 32 vjeç, dhe detyrim paraqitje për Vangjel Profka, 58 vjeç dhe Sotiraq Sollaku, 51-vjeç.
Sipas organit qëndror të akuzës, të ndaluarit dyshohen për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës” dhe “mashtrimit” në bashkëpunim, “fallsifikimit të dokumentave”, për “moskallëzimit të krimit”, “falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave”, si dhe për “deklarimit të rremë përpara prokurorit”.
Sipas prokurorise, në muajin Prill të vitit 2010, shtetasi Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë krijuar një shoqëri tregtare Guaskë, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë Mobil Albania”, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobiljeve, mallrave të ndryshëm industrialë etj.
Sipas hetimeve rezulton se, kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 50.000.000 lekë të reja. Gjithçka është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjëndje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi, të cilit i kanë premtuar një rrogë mujore prej 100.000 lekësh.
Shoqëria Mobil Albania, rezulton të ketë kryer blerje te naftës bruto te shoqëria “Stream Oil Gas l”, si dhe me pas shitjen e saj. Ndërkohë që, nga hetimet rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1266.562 ton.
Shoqëria Mobil Albania ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, ndërsa nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Hetimet kane konkluduar se, Dylejman Qerimi ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur Besnik Murataj me Selman Doçi.
Po ashtu i gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore si dhe të gjitha transaksionet bankare, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi.
Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer ne BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj.
Zedhenesja e Policise se Shtetit, Kledja Plangarica beri te ditur sot pasdite ne nje konference per shtyp se po hetohet edhe për 11 persona te tjere, pasi dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari te paligjshme.
Kompania Stream Oil, me të cilën ka deklaruar transaksione fallco është kompania ku është pronar Arian Tartari, burri i Albana Vokshit, deputete e PD.
