E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania e insulinës kërcënon të braktisë Greqinë

Kriza Fajëson qeverinë për situatën e keqe ekonomike. Të sëmurët reagojnë ashpër

Furnizuesja më e madhe në botë me insulinë, medikamenti pa të cilin nuk bëjnë dot të sëmurët me diabet, ka vendosur që të tërhiqet nga Greqia. “Novo Nordisk”, një kompani daneze, ka kundërshtuar një vendim të qeverisë greke, e cila urdhëron një ulje prej 25% të të gjitha ilaçeve në vend.
Ky vendim është konsideruar nga disa shoqata të të drejtave të njeriut një “shantazh brutal kapitalist”. Rreth 50 mijë grekë që vuajnë nga diabeti përdorin produktet shëndetësore të firmës së sipërpërmendur përmes injektimit të insulinës në gjak. Kjo është një marrje e përditshme e këtij medikamenti dhe zgjat gjatë gjithë jetës. Një zëdhënës për kompaninë farmaceutike tha se tërheqja e ilaçit nga tregu grek bëhej për shkak të kërkesës së qeverisë greke për ulje të çmimeve të medikamenteve. Sipas tij, reduktimi i kërkuar i çmimit do ta nxirrte kompaninë me humbje në tregun grek. Kompania mendon edhe se një kërkesë e tillë e qeverisë do të sjellë edhe reagime nga kompani të tjera të prodhimit të ilaçeve që shiten në tregun grek, duke qenë se shumë vende e përdorin Greqinë si pikë reference për vendosjen e çmimeve të ilaçeve në tregun botëror. Greqia kërkon që të ulë faturën e jashtëzakonshme mjekësore, si pjesë e përpjekjes për të reduktuar borxhin e vendit. Kompanitë ndërkombëtare farmaceutike kanë miliarda dollarë fatura të papaguara dhe vetë kompania daneze në fjalë ka deklaruar në një deklaratë të fundit për shtyp, se shteti grek i detyrohet 39 milionë dollarë të papaguara. Ndërkaq, reagimi i personave të sëmurë me diabet, për të cilët insulina është jetike, e kanë kritikuar ashpër një vendim të tillë të kësaj kompanie të fuqishme. Prindi i një djali 12-vjeçar diabetik, i ka shkruar presidentit të kompanisë, duke i kërkuar që të mos e heqë produktin nga vendi i tij. “Si një ekonomist unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e fitimit në një biznes, por shëndeti dhe njerëzit vetë janë më të rëndësishëm se sa arritja e objektivit të fitimit nga një kompani që merret me prodhimin e një medikamenti jetik për jetën e njerëzve. Siç mund ta dini, Greqia është aktualisht në një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe një veprim i tillë do ta vështirësonte situatën, veçanërisht për njerëzit e thjeshtë që po mbajnë një barrë shumë të madhe dhe që nuk u takon”. Edhe Shoqata e Diabetikëve në Greqi ka qenë shumë e acaruar për një vendim të tillë dhe e ka përshkruar veprimin e danezëve si një “shantazh brutal dhe dhunim të përgjegjësisë shoqërore të korporatave. Shefi danez i kompanisë iu përgjigj letërshkruesit se ishte përgjegjësia e keqmenaxhimit të financave nga ana e qeverisë greke shkaku i situatës së vështirë të grekëve e kompanive dhe bizneseve që janë në këtë vend.

Në Greqi diabetikët kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe të vdekur, si pasojë e një veprimi të tillë, por kompania ndërkohë është përgjigjur se veprimi i saj nuk do të marrë asnjë jetë njeriu.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›