E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luigi Pirandello

Arti plot dhembshuri

“Kam lindur në Sicili, saktësisht në një fshat shumë pranë Girgenti-t, më 28 qershor të vitit 1867. Shkova në Romë për herë të parë në vitin 1886 dhe aty qëndrova për dy vjet. Në tetor të vitit 1888 u nisa për në Gjermani dhe aty qëndrova dy vjet e gjysmë. U diplomova në Universitetin e Bonn-it, në letërsi e filozofi. Në vitin 1891 u riktheva në Romë dhe nuk kam lëvizur më. Jap mësim, për fat të keq prej 15 vitesh Stilistikë në Institutin Superior për vajza. Them për fat të keq, jo vetëm sepse mësimdhënia është një peshë e madhe për mua, por edhe sepse aspirata ime më e madhe është që të tërhiqem në fshat dhe të punoj. Jetoj në Romë i tërhequr, sa më shumë të jetë e mundur. Dal vetëm për pak orë, vetëm në të rënë të mbrëmjes dhe shoqërohem, nëse më rastis, me ndonjë mik. Shkoj shumë rrallë në teatër. çdo mbrëmje, në orën 10:00, jam në shtrat. çohem në mëngjes dhe siç e kam zakon, punoj deri në mesditë. Pas dreke, zakonisht, i kthehem punës në 2:30 deri në 5:30; por, pas orëve të paradites nuk shkruaj më, vetëm nëse nuk ka ndonjë rast urgjent; më shumë lexoj e shkruaj. Në mbrëmje, pas darke qëndroj pak të bisedoj me familjen time, lexoj titujt e artikujve dhe rubrikat e ndonjë gazete dhe në shtrat. Siç e shihni, në jetën time nuk ka asgjë që të meritojë të tregohet: është gjithçka e brendshme, në punën dhe mendimet e mia që... nuk janë të lumtur. Unë mendoj që jeta është mjaft e trishtë, një palaçollëk, duke qenë se kemi brenda vetes, pa mundur të dimë as si, as nga kush, nevojshmërinë për të gënjyer vazhdimisht veten me krijimin spontan të një realiteti (nga një për secilin dhe asnjëherë i njëjti për të gjithë) i cili herë pas herë zbulohet iluzor. Kush e ka kuptuar lojën nuk gënjehet më; por kush nuk arrin më të gënjehet nuk mundet më as të shijojë e as të marrë kënaqësi prej jetës. Kështu është. Arti im është plot dhembshuri të hidhur për të gjithë ata që e gënjejnë veten, por kjo dhembshuri nuk mund të ndiqet nga tallja e egër e fatit, që dënon njeriun me gënjeshtër. E përmbledhur, ky është hidhërimi i artit tim, por edhe jetës”. Ky është biri i Kaosit dhe kjo nuk është e thënë në mënyrë alegorike, por është e vërtetë, sepse vendi ku ka lindur quhej vërtet kështu. Ky është Luigi Pirandello, dramaturgu, shkrimtari dhe poeti italian që në vitin 1934 u vlerësua me çmimin “Nobel” në letërsi me motivacionin: “Për kurajën dhe riprezantimin inteligjent të artit dramatik teatral”. Fëmijëria e Pirandello-s nuk kaloi e qetë, por ashtu siç ai vetë do të rrëfejë, ishte e karakterizuar nga vështirësitë për të komunikuar me të rriturit sidomos me prindërit e tij, e në mënyrë të veçantë me të atin. Kjo e stimuloi të përpiqet më shumë të përgatitet me aftësitë e tij shprehëse dhe të studiojë më shumë mënyrën e sjelljes me të tjerët në mënyrë që të kuptohet më mirë nga ata. Qysh fëmijë, shkrimtari i ardhshëm vuante nga pagjumësia dhe zakonisht flinte vetëm tri orë natën. Në 1892, Pirandello u transferua në Romë ku u njoh me Luigi Capuana, i cili e ndihmoi në rrugën drejt letërsisë, duke i çelur edhe portat e salloneve intelektuale ku pati mundësi të njihet me gazetarë, shkrimtarë, artistë e kritikë të kohës. Pas dy vitesh martohet me Maria Antonietta Portulano, vajza e një ortaku të pasur të babit. Martesa ishte e kënaqshme jo vetëm për interesat e familjes Pirandello, por edhe sepse mes të dyve lindi dashuria e pasioni që u kurorëzua me lindjen e tre fëmijëve Stefano, Rosalia dhe në 1899 Fausto. Suksesi i parë letrar i Pirandello-s ishte romani “Il fu Mattia Pascal”, publikuar në vitin 1904 dhe që u përkthye menjëherë në disa gjuhë të huaja. Kritika megjithatë nuk e vlerësoi menjëherë, edhe pse publiku e kishte dhënë suksesshëm vlerësimin e tij. Megjithatë suksesi i vërtetë për të erdhi në vitin 1922, kur shkrimtari iu kushtua tërësisht teatrit. Në një letër drejtuar familjes shkruan: “Oh, teatri dramatik! Unë do ta pushtoj. Unë nuk mund të hyj aty pa provuar një emocion të gjallë, një ndjesi të çuditshme, një vërshim të gjakut nëpër vena...”, shkruar mes të tjerave ai. Por Pirandello ishte edhe një pasionant i madh i kinematografisë. Dhe pikërisht ndërsa merrte pjesë gjatë xhirimeve të filmit “Il fu Mattia Pascal”, marrë nga romani me të njëjtin titull, u sëmur me pneumoni. Kishte kaluar dy goditje në zemër dhe trupi i tij i lodhur prej moshës, por edhe nga gjithë sa kishte kaluar në jetë, nuk mundi të durojë më shumë. Pirandello ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1936, duke lënë të papërfunduar një punë të re teatrale të titulluar “Gjigandët e malit”. Në testament kishte shkruar vullnetin e tij të fundit: "Karroca e klasës së varfër, ajo e më të varfërve. Lakuriq. Dhe asnjë të mos më shoqërojë, as të afërm, as miq. Karroca, kali, karrocieri e kaq. Digjmëni”. Hiri i tij u shpërnda nëpër të gjithë “Kaosin”, e Pirandello-s.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›