E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e sigurimeve e “vjedhin” Kryqin e Kuq

Kompanitë e sigurimeve qe tre vjet vazhdojnë ta “vjedhin” Kryqin e Kuq të Kosovës, duke mos ia paguar nga 1 për qind të mjeteve që i marrin nga sigurimi i obligueshëm i automjeteve.

Sipas Ligjit Nr.03/L-179 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2010, përkatësisht Nenit 14 pika 1.7, Kryqi i Kuq siguron mjete financiare nga sigurimi i obligueshëm i automjeteve, ku kompanitë e sigurimeve detyrohen t’i paguajnë një për qind nga bruto primi i vlerës së sigurimit të automjeteve. Mirëpo, një pagesë e këtillë financiare vazhdon të mos i paguhet Kryqit të Kuq që nga viti 2010.

Xhevat Shkodra, kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se kompanitë e sigurimeve po i shkelin obligimet ligjore.“Kompanitë e sigurimeve nuk po i përgjigjen këtij obligimi ligjor. Ligji është miratuar nga Kuvendi dhe dekretuar nga presidenti, ndërsa sponsorues i tij ka qenë Ministria e Shëndetësisë”, ka pohuar Shkodra.Sipas tij, kompanitë e sigurimeve janë informuar me kohë për obligimet ligjore.

”Ne e kemi ngritur ketë çështje, kemi kontaktuar edhe drejtuesit e kompanive të sigurimeve, në mënyrë që t’ua bëjmë me dije që kanë obligim ligjor t’ia paguajnë nga 1 për qind nga mjetet që i marrin në emër të sigurimit të obligueshëm të automjeteve”, ka potencuar ai, duke shtuar se drejtuesit e kompanive të sigurimeve kanë refuzuar ta bëjmë pagesën e mjeteve.

Shkodra po ashtu ka bërë të ditur anashkalimin që u është bërë nga shumë ministri, të cilat nuk kanë dashur të ndihmojnë në zbatimin e ligjit.“Kemi kërkuar zgjidhje për të drejtën ligjore të Kryqit të Kuq, përmes Bankës Qendrore të Kosovës. Në dy takime që i kemi pasur nuk kanë marr për obligim që ta zgjidhin këtë çështje. Poashtu kemi kontaktuar edhe Ministrinë e Financave, mirëpo as ajo nuk e ka marrë këtë si obligim, Pas kësaj kemi kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe vetë drejtuesit e kompanive të sigurimeve, mirëpo nuk janë përgjigjur deri më sot”, ka sqaruar Shkodra.

Kreu i Kryqit të Kuq të Kosovës ka thënë se këtë çështje e kanë ngritur edhe në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, mirëpo, siç ka thënë ai, edhe iniciativa e këtyre të fundit ka rezultuar e pasuksesshme.“Është për çudi që këto kompani, të cilat veprojnë dhe zhvillojnë aktivitete dhe i vjelin të ardhurat nga pronarët e automjeteve tregohen aq regjit për respektimin e ligjit. Kompanitë e sigurimeve nuk e zbatojnë ligjin, sepse ata që e kanë miratuar Ligjin janë të lidhur me këto kompani dhe unë nga ky pozicion me keqardhje po them se njeri që e ka një kompani të sigurimeve është zëvendëskryeministri i vendit. Mirëpo ky është realiteti, dhe ndoshta në një formë apo tjetër nuk kanë disponim që ta ndihmojnë zbatimin e këtij ligji”,ka thënë Shkodra.

Pasi që të gjitha këto institucione shtetërore nuk kanë dashur që t’iu dalin në ndihmë për zbatushmërinë e ligjit, Shkodra ka thënë se kanë qenë të detyruar që problemin ta paraqesin në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Në anën tjetër, Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, deputetët që e kanë miratuar Ligjin për Kryqin e Kuq i ka quajtur “shumë humanistë”.“Pasi që shumë deputetë po tregohen aq humanitarë, është dashur që gjatë miratimit të Ligjit ta ftojnë një përfaqësues nga Kompanitë e Sigurimeve, e jo me bë ligj pa na ftuar, sepse ky ligj duhet të ndryshohet, ne në asnjë mënyrë nuk pajtohemi me të” , ka thënë Pacolli.

Pacolli ka vazhduar që ta ironizojë Kryqin e Kuq, duke thënë se po që se nga sigurimi i çdo automjeti ua ndajnë 1 për qind, atëherë Kryqi i Kuq do të bëhet më i fortë financiarisht se vetë Kompanitë e Sigurimeve.“Nuk ka askund në botë që Kryqit të Kuq me i nda hise, ndërsa këtu në Kosovë ndodh. Të ardhura vjetore të të gjitha kompanive të sigurimeve i kemi afër 8 milionë euro”, ka thënë Pacolli.

Drejtori i kompanisë “Siguria” është i përgatitur të dalë në gjyq me Kryqin e Kuq, duke thënë se do të dalë fitimtar.Mirëpo kur është fjala tek Gjykata Themelore, Pacolli e pranon se nëse ajo do të dalë në favor të Kryqit të Kuq, atëherë kompanitë e sigurimeve, do të dorëzohen në këtë betejë dhe do t’i paguajnë 1 për qind, pa marrë parasysh, që, sipas tij, kjo nuk është e drejtë.

Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje të kontaktojë ministritë përkatëse rreth zbatimit të Ligjit për Kryqin e Kuq, e cila gjë nuk ka ndodhur deri më tani.
Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se nuk është nën kompetencë të tyre që ta bëjnë zbatueshmërinë, apo jo të ligjit.Njëjtë janë shprehur edhe përgjegjësit nga Ministria e Tregtisë, të cilët nuk kanë dashur që mbi vete ta marrin këtë barrë. Një përgjigje tillë është edhe nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

E vetmja ministri, e cila ka dhënë një përgjigje gjysmake ka qenë Ministria e Shëndetësisë(MSH). Avdullah Klinaku, këshilltar politik, ka thënë së në mes të Kryqit të Kuq dhe kompanive të sigurimeve duhet që shumë shpejt të zgjidhet ky problem.
“Kryqi i Kuq ka ankesë për kompanitë e sigurimeve që nuk po e respektojnë Ligjin, i cili është miratuar, ndërsa kompanitë e sigurimeve konsiderojnë se ka të bëjë me kohezion ligjor në mes të asaj se çka sheh Kryqi i Kuq dhe asaj se çka shohin kompanitë e sigurimeve. Në gjithë këtë çdo ligj që miratohet duhet të zbatohet”, ka thënë Klinaku./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›