E Enjte, 5 Nëntor 2026

QSUNT: Asnjë humbje jete e pacientëve si pasojë e mungesës së Ruconest

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë sqaroi sot opinionin publik, lidhur me disa informacione të gabuara për “mungesën e medikamentit Ruconest për pacientët e Onkologjikut”.

QSUNT sqaron se Ruconest është një frenues i C1 esterazës që trajton krizat e menjëhershme të angioedemës, e cila vështirëson frymëmarrjen.

Ky medikament nuk bën pjesë në listën e barnave trajtuese për pacientët e Shërbimit Onkologjik.

Sipas praktikave më të mira klinike ndërkombëtare dhe protokolleve mjekësore, Shërbimi i Alergologjisë përdor gjerësisht Plazmën e Ngrirë dhe terapi medikamentoze si Ruconest për trajtimin e angioedemës.

Aktualisht, në Shërbimin e Alergologjisë janë të kartelizuar 54 pacientë me angioedemë hereditare tipi i parë dhe dy pacientë me angioedemë hereditare të fituar. QSUNT i bën thirrje të gjithë pacientëve të drejtohen pranë shërbimeve përkatëse për të marrë çdo trajtim të nevojshëm.

QSUNT hedh poshtë deklaratat e servirura dje në opinion publik për humbjen e jetëve të pacientëve.

Nga Shërbimi i Alergologjisë nuk është raportuar asnjë rast i humbjes të jetës së pacientëve si pasojë e mungesës së medikamentit Ruconest.

Duke pasur parasysh rëndësinë e shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, QSUNT thekson se “stafi ynë mjekësor është çdo ditë në shërbim të qytetarëve, duke qëndruar larg spekulimeve politike”.

QSUNT mbetet e hapur dhe transparente për gjithë aktivitetin dhe shërbimet e saj ndaj popullatës.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›